Marrëveshje për certifikatat e produkteve medicinale
Është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale mes Kosovës dhe Serbisë, pas komunikimit që të dy palët ia kanë bërë Bashkimit Evropian me të cilën kanë konfirmuar pranimin e marrëveshjes për këtë çështje.
Lajme
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, me këtë rast theksoi se kjo marrëveshje ka rëndësi sepse mundëson normalizimin e tregtisë në fushën e produkteve medicinale mes dy vendeve gjë që është arritur përmes njohjes reciproke të Certifikatave të Produkteve Medicinale (CPP) mes dy shteteve.
Marrëveshja në fjalë nënkupton që barnat e prodhuara në Serbi të cilat deri tani janë vënë në qarkullim në Kosovë pa iu nënshtruar procedurave të regjistrimit, tash e tutje do t’i nënshtrohen këtij procesi dhe do të plasohen në tregun e Kosovës në përputhje me legjislacionin në fuqi të vendit tonë.
Gjithashtu prodhuesve në Kosovë iu mundësohet plasimi i prodhimeve të tyre në tregun e Serbisë. Si rezultat i pranimit reciprok të Certifikatës së Produktit Farmaceutik (CPP), secili bar/medikament për të cilin bëhet aplikacion do të realizohet regjistrimi në vendin tjetër.
Për zbatimin e kësaj marrëveshje është kompetente Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) e Republikës së Kosovës.