Marrëveshje Odash Kosovë- Serbi

Kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë nënshkruan në bruksel marrëveshjen kornizë. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin edhe Hashim Thaçi, Ivica dacic e Catherine Ashton.

Lajme

13/12/2013 14:10

Kur të gjithë presin marrëveshje politike, Kosova dhe Serbia nënshkruajnë në Bruksel marrëveshje të një karakteri tjetër.

Në praninë e Kryeministrit të Republikës të Kosovës,  Hashim Thaçi, atij të Republikës të Serbisë, Ivica Dacic, dhe Përfaqësueses së Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Baroneshës Chaterine Ashton, sot në Bruksel është nënshkruar Marrëveshja Kornize në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Serbisë.

Marrëveshja përfshin çështjet e arbitrazhit dhe hapjen e zyrave respektive të odave në të dy institucionet.

“Kjo marrëveshje është brenda kornizës së bashkëpunimit me asociacionin më të madh të Odave Evropiane, përkatësisht Euro Chambers dhe në të njëjtën kohë hap një perspektivë të re për përkrahje të integrimit të komunitetit biznesor të Kosovës në rrjete evropiane të bashkëpunimit, si dhe ka ndikim direkt në rritjen e sigurisë juridike për investitorët e huaj”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike të Kosovës.

Safet Gerxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të eliminimit të barrierave ekonomike për qasje të bizneseve të vendit në tregjet rajonale dhe evropiane, gjë që marrëveshja ka si orientim afatshkurtë dhe afatgjate.