Marrëveshja që hapi kapitullin e paqes mes dy popujve

Kryeministri Thaçi vlerëson se Marrëveshja e Brukselit ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë. Ai thotë se kjo marrëveshje ka hapur rrugën drejt integrimit në BE.

Lajme

19/04/2014 15:44

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për një vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se para një viti në Bruksel, pas një sërë bisedimesh, u arrit një marrëveshje historike.

Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje ka hapur kapitullin e paqes mes dy popujve. Sipas tij, kjo  marrëveshje ka hapur rrugë për integrim evropian.

“Kjo marrëveshje historike ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë”.

 “Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Kosova është shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin e saj”.

 “Po ashtu, fillimi i zbatimit të Marrëveshjes është një e arritur në vijim dhe është duke dhënë rezultate të prekshme”.

“Mbajtja e zgjedhjeve lokale, të parat me ligjet e Kosovës në tërë territorin, zhbërja e strukturave ilegale të sigurisë dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës janë ndër treguesit e qartë të suksesit të kësaj Marrëveshjeje”.

 “Me këtë rast falënderoj Kuvendin e Kosovës, deputetët dhe të gjitha partitë politike që kanë mbështetur këtë proces, e mbi të gjitha qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe besimin e tyre”.

“Me këtë Marrëveshje, Kosova  ka dëshmuar se mund të merr përgjegjësi historike  në përputhje me interesat e qytetarëve të saj dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me shtetet mike që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj”.

“Kjo Marrëveshje ka krijuar klimë të mirë politike në rajon, duke hapur perspektivë të sigurt për integrim të Kosovës në institucionet euroatlantike, në NATO dhe BE”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Thaçi.