‘Marrëveshja për Sirinë’, model për Kosovën

Marrëveshja SHBA-Rusi për Sirinë paraqet një model shumë real për një ujdi të mundshme amerikano-ruse edhe për Kosovën, me synim përfundimtar - anëtarësimin e Kosovës në OKB. Përafrimi amerikano-rus mund të jetë në dobi të Kosovës.

Opinion

24/09/2013 18:00

Shumë opinione u shkruan për ngjashmërinë e ndërhyrjes së mundshme ushtarake në Siri me atë në Kosovë, në vitin 1999. Kishte mendime se situata në Siri është shumë e ngjashme me Kosovën, por edhe qëndrime të kundërta, sipas të cilave, nuk ka ngjashmëri të mjaftueshme për ta arsyetuar ndërhyrjen në Siri, ashtu siç ndodhi në Kosovë.

Ky shkrim flet për diçka tjetër.

Para pak më shumë se një jave, SHBA’të dhe Rusia u pajtuan për një marrëveshje e cila kushtëzon Qeverinë siriane me dorëzimin e të gjitha armëve të saja kimike. Armët duhet të evidentohen nga Qeveria, t’ju lejohet inspektorëve ndërkombëtarë qasja në to dhe të shkatërrohen krejtësisht deri nga mesi i vitit 2014.

Marrëveshja mënjanoi, për momentin, mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane, apo ndërkombëtare, dhe ishte shembull i rrallë i bashkëpunimit amerikano-rus në Lindjen e Mesme.

A është dhe sa është gjithë kjo relevante për Kosovën?

Unë do të argumentoj se është. Goxha.

Sot Kosova numëron afërsisht 100 njohje dhe ka arritur subjektivitet gradual ndërkombëtar, me anëtarësim në institucione kryesore ndërkombëtare dhe europiane.  Mirëpo, Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Jo për faj të saj, por për shkak të qëndrimit kundërshtues të Rusisë dhe, të themi, “qasjes dekurajuese” të Kinës. Ndonëse, edhe diplomacia jonë do të mund të angazhohej më shumë.

Për anëtarësimin e Kosovës në OKB do të duhej një ujdi në mes të SHBA’së dhe Rusisë, e ngjashme me atë për Sirinë. Ndoshta nuk do të ishte “Marrëveshje për Kosovën”, por pjesë e marrëveshjeve apo ujdive të tjera amerikano-ruse: “Ju bëni këtë për ne, dhe ne do ta pranojmë Kosovën anëtare të OKB’së”. Një skenar i tillë është mjaft real dhe në një mënyrë apo tjetër, kjo iu është thënë privatisht edhe udhëheqësve kosovarë.

Natyrisht, Kosovës nuk i pritet për një gjë të tillë. Ajo do që të jetë anëtare e OKB’së, për të qenë më në fund pjesë e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Pjesë e të njëjtës bashkësi që e shpëtoi, ndihmoi shtetndërtimin e saj dhe që tash po e vëzhgon. Më këtë përvojë, Kosova ka shumë për t’i ofruar kësaj bashkësie. Përjetoi shkatërrimin, tmerrin e luftës, dhe më në fund paqen dhe rindërtimin. Kosova, si subjekt ndërkombëtar, mund t’i kuptojë më së miri shtetet dhe popujt që përballen më këto vështirësi sot. Si Sirinë, për shembull.

Anëtarësimi në OKB ka përfitimet e veta – “zyrtarizohet” më tej shtetësia ndërkombëtare e Kosovës, duke sjellë mundësi të reja; barazohet – pa asnjë mëdyshje – shtetësia kosovare me atë serbe dhe me të gjitha shtetet e tjera; sporti dhe sportistët e Kosovës zhbllokohen dhe u lejohet përfaqësimi dhe pjesëmarrja në gara ndërkombëtare. Dhe këtë mund ta bëjnë me më pak kokëçarje sesa Majlinda Kelmendi, e cila duhet t’i mendojë rrethanat politike dhe jo vetëm ato të profesionit të saj derisa synon triumfin.

Kosova do të përfitonte duke ndjekur një politikë të urtë ndërkombëtare derisa pret sinjale për një lloj ujdie të tillë. Kjo nënkupton një qëndrim konstruktiv ndaj shteteve që e kanë njohur dhe që ende nuk e kanë njohur. Sidomos ndaj atyre me peshë ndërkombëtare, siç është Rusia. Sepse kështu duhet të veprohet, e jo se kjo është një rrugë e dëshirueshme apo e drejtë, kur kihet parasysh qasja ruse që deri tash ka paragjykuar dhe refuzuar Kosovën.

Më duhet të përmend këtu shembullin e një diplomati të Kosovës, i cili, duke u ballafaquar me injorimin rus në një ndejë diplomatike, i ishte drejtuar atij duke ia shtrënguar dorën dhe duke i treguar se ishte një diplomat që përfaqësonte Kosovën. Ai e kishte pyetur pse Rusia ishte aq refuzuese ndaj Kosovës, ndërsa i kishte shpjeguar dhe argumentuar të drejtën dhe kauzën e vendit të tij, si një subjekt legjitim ndërkombëtar.

Jam i bindur se, me kohë, SHBA’të do të merren vesh me Rusinë për ta hapur përfundimisht derën e OKB’së edhe për Kosovën. Nga ana e saj, Kosova duhet të bëhet lehtësuese e dinjitetshme e gjithë këtij procesi dhe të kuptojë se përafrimi amerikano-rus mund të jetë në dobi të saj.