Marrëveshja për Gjykatat në Veri, afër finalizimit

Zëvendës Kryeministrja Edita Tahiri thotë se marrëveshja për Gjykatat në Veri është afër finalizimit. Sipas saj,edhe në Veri do të veprojë sistemi i drejtësisë i shtetit të Kosovës. Pohon se do të ketë një Gjykatë Themelore dhe një Zyrë Prokurorie.

Lajme

01/03/2014 21:08

Marrëveshja për sistemin e drejtësisë në Veri, sipas Zëvendës Kryeministres, Edita Tahiri, është në fazën finale të saj.

Në një prononcim për RTK, Tahiri ka thënë se kjo marrëveshje do të shuaj njëherë e përgjithmonë kërkesat e shtetit serb që të ketë Gjykata të veçanta në Veri të Mitrovicës.

“Parimi i parë është që edhe në Veri do të veprojë sistemi drejtësisë i shtetit të Kosovës. Sipas principit të unitaritetit do të ketë një Gjykatë Themelore dhe një Zyrë Prokurorie”.

“Janë refuzuar dhe kanë rënë poshtë idetë që ka pasur pala serbe për Gjykata të veçanta. Po ashtu këta dy mekanizma do të veprojnë në sipas  Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Ajo ka thënë më tutje se të gjitha kërkesat në baza etnike janë refuzuar kategorikisht nga shteti i Kosovës dhe nga ana e Kryeministrit Thaçi, i cili është edhe kryenegociator i këtij procesi.