Marrëveshja për Brexit-in, ende në nivel të diskutimeve

15:10 | 14 Tetor 2019

Ekipet negociuese të Londrës dhe Brukselit do të takohen sërish më 14 tetor, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për procesin e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Pas bisedimeve në Bruksel, gjatë fundjavës, ambasadorëve të BE-së iu tha se Londra do të bënte lëshime në planin e saj për kufirin e Irlandës Veriore.

Por, negociatori kryesor i bllokut, Michel Barnier, tha se një “boshllëk i madh” ekziston mbi marrëveshjet doganore.

Ministrja britanike e Punëve të Brendshme, Victoria Atkins tha që ajo besonte se një marrëveshje mund të arrihet deri në afatin e 31 tetorit, kur duhet të ndodhë Brexit-i

Ajo i tha BBC-së se: “ditët e fundit, ne kemi parë një ndryshim të vërtetë dhe një afrim nga ana e BE-së”.

Zëdhënësi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, u tha gazetarëve se “bisedimet mbeten konstruktive, por ka ende shumë punë për të bërë”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka ofruar një plan “përfundimtar” Bashkimit Evropian për daljen e Britanisë së Madhe nga blloku, mirëpo zyrtarët evropianë nuk kanë treguar shumë interesim për arritjen e një marrëveshjeje bazuar në këtë plan.

Negociatat në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së janë duke vazhduar ende, derisa në qendër të tyre mbetet ndalesa në kufirin irlandez, politikë e diskutuar në mes të ish-kryeministres britanike, Theresa May dhe BE-së, me qëllim të parandalimit të një kufiri të ashpër në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Brexit-i do të ndodhë më 31 tetor edhe pa një marrëveshje me BE-në./rel