“Marre”, Çitaku i kundërpërgjigjet Fitore Pacollit: Thaçi, Veseli e Haradinaj ishin në ballë të luftës

Kandidatja për deputete nga PDK Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së Fitore Pacollit, e cila tha se e ka “mbrojtur” Kosovën nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe vetë Çitaku. Çitaku tha se nuk e konsideron veten në nivelin e figurave që kanë veshur uniformën e UÇK-së dhe kanë qenë të…

24/05/2026 19:07

Kandidatja për deputete nga PDK Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së Fitore Pacollit, e cila tha se e ka “mbrojtur” Kosovën nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe vetë Çitaku.

Çitaku tha se nuk e konsideron veten në nivelin e figurave që kanë veshur uniformën e UÇK-së dhe kanë qenë të gatshëm të japin jetën për vendin, duke shtuar se vetëm përmendja e emrit të saj krah tyre është nder.

Postimi i plotë:

Sot e mora vesh që Fitore Pacolli e paska “mbrojtë” Kosovën prej Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa edhe prej meje.

Në fillim mendova që është hajgare. Po jo. E paska thënë me gjithë mend. Së pari, as unë, e as shumë prej nesh, nuk jemi në nivelin e atyre grave dhe burrave që e veshën uniformën e UÇK-së dhe ishin të gatshëm me dhanë jetën për këtë vend.

Vetëm me ma radhitë emrin krah tyre, për mua është nder. Por kjo deklaratë nuk flet për ne. Flet për mendësinë e një lëvizjeje që prej vitesh synon me rrënu çdo vlerë, çdo figurë dhe çdo histori që nuk i shërben propagandës së vet.

Paramendojeni absurdin: Fitorja e paska “mbrojtë” Kosovën prej Hashim Thaçi. Prej njerëzve që, ishin në ballë të luftës dhe të shtetndërtimit të Kosovës. Çka s’po mberrijka njeriu me dëgju. Marre.