Maqedonia shqiptare pas 15 vjetësh

Politikani maqedon, Lubço Georgievskim thotë se Maqedonia do të jetë shtet shqiptar pas 15 vjetesh. Ndërsa, për një periudhë prej 7-8 viteve, sipas tij, ky shtet do të dominohet nga myslimanët.

Lajme

20/12/2013 16:34

Ish-Kryeministri i Maqedonisë, Lubço Georgievski, shpreh shqetësimin e tij se Maqedonia do të jetë shtet shqiptar pas 15 viteve.

Në një intervistë për gazetën bullgare “Presse”, Georgievski thotë se Maqedonia në një periudhë prej 7 apo 8 viteve, do të jetë një shtet i dominuar nga myslimanët, transmeton Alasat M.

Ish kreu i qeverisë së Maqedonisë, ka shpalosur këto qëndrime, duke folur edhe për çështjet strategjike të vendit, zgjidhjen e emrit dhe problemet e tjera me të cilat po ballafaqohet vendi.

“Idetë për shtetet etnike duhet shqyrtuar në konferenca ballkanike, ku të gjitha shtetet do të dakordoheshin dhe kjo do të ishte hap drejt paqes, dhe jo të përballemi me luftëra. Nëse analizojmë situatën, do të shohim se proceset nuk kanë ecur mirë”.

“Bosnja ekziston vetëm në letër, Kosova akoma është e ndarë dhe ka probleme midis shqiptarëve dhe serbëve. Maqedonia është në jostabilitet të vazhdueshëm, dhe ekzistimi i saj varet vetëm nga vullneti i mirë i shqiptarëve. Unë kuptova se ideja e tillë për shtete etnike nuk mund të përpunohet dhe tashmë nuk jam ithtar aktiv i saj”.