Maqedonia e Veriut pret datën për nisjen e bisedimeve me BE-në
Maqedonia e Veriut pret vlerësim pozitiv nga raporti i progresit i Komisionit Evropian që pritet të publikohet më 29 maj, ndërsa në qershor shpreson edhe për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në union.
Lajme
Nga Qeveria thonë se vendi ka arritur rezultate të pamohueshme në konsolidimin e institucioneve, sundimin e ligjeve dhe sferat tjera ku ka pasur vërejtje në raportet e kaluara.
Së fundi janë miratuar ligjet për reformimin e agjencive të sigurisë dhe të punëve të brendshme, ndërsa ka mbetur ende zvarrë çështja e statusit të Prokurorisë Specialeqë po heton zyrtarët e dyshuar për vepra penale.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se administrata është e përqendruar në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që dalin në procesin e integrimit evropian.
“Në pritje të vendimit të madh për nisjen e bisedimeve, në pritje në fakt të Raportit të Komisionit për Progresin në vitin e kaluar, po intensifikojmë aktivitetet tona për të përgatitur administratën për ballafaqim me këtë sfidë të madhe, në të cilin pritet të futet vendi. Sekretariati për çështje evropiane do të mbetet mekanizmi kryesor i administratës që do të fokusohet në krijimin e kapaciteteve njerëzore, që është sfida më e madhe, por edhe pika më e dobët dhe më e fuqishme, varësisht institucioneve në përpjekje për të arritur standardet evropiane”, deklaron Osmani.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, pret që në javën e ardhshme Komisioni Evropian të publikojë raport pozitiv për Maqedoninë e Veriut, apo do të rekomandojë caktimin e datës për hapjen e negociatave për anëtarësim, shkruan REL.
Ai thotë se raporti do të pasqyrojë përparimin në raportet me shtet fqinje, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
“Jam i bindur se raporti do të rekomandojë hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Mendoj se vendi juaj muajt e fundit ka demonstruar përkushtim për të ardhmen evropiane, pasi janë sjellë vendime të rëndësishme. Opozita dhe Qeveria po punojnë bashkërisht në disa ligje që janë të rëndësishme për reformat dhe mendoj se keni shumëçka për të treguar dhe shpresoj se ju do të jeni shembull në rajon për atë se si mund të demonstrohet përkushtimi serioz në çuarjen para të vendit”, ka deklaruar ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se raporti i Komisionit Evropian do të përmbajë edhe kritika, në veçanti në sferën e sundimit të drejtës. Muhamed Halili, ish –ambasador, thotë se Komisioni mund të rekomandojë hapjen e negociatave, por se në samitin e krerëve të shteteve dhe të Qeverisë një rekomandim i tillë nuk beson se do të miratohet.
“Konsideroj se raporti do të ketë vërejtje, veçanërisht vërejtje për sundimin e ligjit dhe së drejtës, ndërsa vendimi përfundimtar është vendim politik që merret në samitin e burrave të shteteve dhe qeverive që do të mbahet pasi Komisioni Evropian të ketë dhënë vlerësimin e vet. Nëse Maqedonia nuk i ka plotësuar kërkesat, para së gjithash në reformimin e Gjyqësorit, e që tani paketat e fundit është mbyllur përveç Prokurorisë Speciale, mund të ndodhë që në samitin evropian të sillet vendim, por si qëndrojnë punët tani vlerësoj se në këtë sesion është pamundur të merret data”, thotë Halili.
Procesi i integrimit apo i marrjes së datës për anëtarësim në BE, në vazhdimësi ishte bllokuar nga Greqia për shkak të çështjes së emrit, por pas zgjidhjes së këtij kontesti, Maqedonia e Veriut të paktën nga Athina nuk do të kushtëzohet më në procesin e integrimit evropian. Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e Veriut e ka marrë në vitin 2005.