Maqedoni: Punësimi në baza partiake, merr hov

Drejtoria e të hyrave publike e Maqedonisë, në raportin e saj të fundit ka bërë të ditur se në mesin e 10 borxhlinjve më të mëdhenj, që nuk i kanë paguar tatimet, është ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë”, e cila para disa muajsh punësoi disa mijëra qytetarë si dhe “Rrugët e Maqedonisë” dhe Radio-Televizioni Publik.

Lajme

21/06/2015 21:04

Borxhi tyre tashmë ka arritur shifrën prej disa milionë eurosh.

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni thonë se kjo është si rrjedhojë e mosmenaxhimit të përgjegjshëm të këtyre institucioneve, përkatësisht mbushjes me kuadër partiak siç ishte rasti me ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë”, e cila vitin e kaluar punësoi disa mijëra qytetarë, e të cilët akoma nuk janë sistemuar, raporton Evropa e Lirë.

Marija Zarezankova – Petkova, eksperte e ekonomisë, thotë se ndërmarrjet publike mbushen me ushtarë partiakë, sepse në këtë mënyrë shpërblejnë aktivistët e partisë për të gjitha aktivitet e ndryshme që ata bëjnë për partitë në pushtet gjatë procesit zgjedhor.

“Udhëheqësit e këtyre institucioneve nuk veprojnë në bazë të obligimeve ligjore, por në bazë të direktivave nga ana e drejtuesve të qeverisë, andaj jo rrallë herë ata detyrohen të shpenzojnë shumë më shumë nga mjetet, me të cilat disponojnë. Kjo bën që të përfundojnë si borxhlinj të mëdhenj siç është rasti me ndërmarrjen publike ‘Pyjet e Maqedonisë’ ”, thekson Marija Zarezankova – Petkova.

Nga ana tjetër, Osman Kadriu, ekspert juridik, thekson se partizimi i institucioneve shtetërore vë në pikëpyetje dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve.

“Po qe se segmentet më të rëndësishme të aparatit shtetëror janë të partizuara, siç është rasti në Maqedoni, ku ndërmarrjet publike dhe administrata shtetërore është e mbushur kryesisht me kuadër partiak, atëherë vihet në pikëpyetje mosrealizimi i të drejtave të njeriut para këtyre institucioneve, sepse është evidente se ata veprimet e tyre i ndërmarrin në baza partiake dhe politike”, vlerëson Kadriu.

Ndërkaq, duke komentuar kërkesën e fundit të Komisionit Evropian, që qeveria të ndërpresë menjëherë aksionin për transformimin e marrëdhënies së punës së vullnetarëve, dhe përfundimisht ta publikojë listën me numra të saktë për të gjithë të punësuarit në administratën publike, Zdravko Savevski, aktivist për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve nga lëvizja majtiste “Solidariteti”, thotë se qeveria edhe kësaj radhe nuk do të ndalet së punësuari.

“Kjo qeveri edhe në këtë rast nuk do t`i marrë seriozisht vërejtjet e Bashkimit Evropian. Në fakt, për shkak të situatës delikate, në të cilën ndodhet vendi, do t’i bllokojë punësimet në organet shtetërore në minimum vetëm sa për të krijuar përshtypje se ja, po angazhohet në drejtim të plotësimit të rekomandimeve, por realisht përmes mekanizmave të ndryshëm, do të synojë që sa më shumë veta t’i sistemojë në administratë, përkatësisht institucionet publike, që të sigurojë sa më shumë votues”, thotë Savevski.

Eksperti i çështjeve juridike, Kadriu, thotë se punësimet që po bën qeveria në këtë periudhë, janë në kundërshtim jo vetëm me vlerat demokratike, por janë edhe kundërligjore.

“Maqedonia nuk është vetëm në krizë politike, po ne kemi edhe krizë kushtetuese dhe morale, dhe në këtë situatë nuk është aspak e arsyeshme, po edhe juridikisht e qëndrueshme, të realizohen punësime në institucionet shtetërore, të cilat kryesisht bëhen në baza partiake”.

“Jo vetëm se do të sanksionohen ata, të cilët i bëjnë këto punësime, po do të vihen në pikëpyetje në aspektin juridik se sa do të jenë ligjore e kushtetuese këto punësime dhe këta(të punësuar) nesër mund të largohen nga puna”, vlerëson Osman Kadriu, ekspert juridik.