Maqedoni: Prifti “bekon” çerdhen e fëmijëve në një lagje ku jetojnë edhe shqiptarë

Në bazë të kushtetutës, Republika e Maqedonisë është një shtet laik, ku nuk duhet të ketë ndërveprim dhe proklamim të institucioneve fetare në punën e institucioneve shtetërore, qofshin ato qendrore apo lokale.

Lajme

21/07/2015 17:08

Ky parim duhet të ruhet me xhelozi dhe të burojë nga të dyja palët, edha nga institucionet shtetërore, edhe nga ato fetare, posaçërisht për shkak të faktit se Maqedonia është një vend multietnik dhe shumë-kulturor, raporton portali SHENJA.

Sot është bërë hedhja solemne e gurthemelit për një çerdhe të re të fëmijëve në lagjen Radishan të Komunës së Butelit, komunë kjo e udhëhequr nga maqedonasit ortodoksë, por e banuar edhe me shqiptarë, turq dhe boshnjakë, të gjithë këta të përkatësisë fetare islame.

Siç mund të vëreni nga fotot, prifti ortodoks merr pjesë në solemnitetin e hedhjes së gurthemelit, ndërsa nuk vërehet prezenca e ndonjë hoxhe.

Në frymën e multikulturalizmit, do duhej që të jenë prezent përfaqësues të të dyja bashkësive fetare, ose të mos jetë prezent asnjëri, pasi në këtë mënyrë fitohet përshtypja se favorizohet njëra, ndërsa neglizhohet bashkësia tjetër fetare, e me këtë edhe qytetarët që i takojnë bashkësisë përkatëse fetare.

Duke u mbështetur në parimet kushtetuese, nuk do të ishte e preferuar prezenca e përfaqësuesve fetarë në këso solemnitetesh në mbarë vendin, e sidomos duke vënë theksin tek lagjet dhe komunat e përziera.

Por, kjo nuk ndodhi në këtë rast, dhe në rast të shumta të ngjashme, ku vërehet ministri Spasov dhe një prift ortodoks.

Përndryshe, kohë më parë në opinion janë nxitur reagime të shumta pas vendosjes së rrethojës rreth godinës së Qeverisë, në të cilat vëreheshin kryqe, ndërsa nuk u lanë pa përmendur edhe kryqet e vendosura në Aerodrom, në Vodno, të cilat sipas komenteve, shfaqin politikat e njëanshme të Qeverisë VMRO-BDI, e cila favorizon një bashkësi fetare, në këtë rast kishën ortodokse.