Maqedoni-Kosovë, Sahiti: Djemtë do të japin maksimumin në fushë

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme në histori, atë në kuadër të gjysmëfinales së play-offit, në Ligën e Kombeve kundër Maqedonisë.

Sport

05/03/2020 11:47

Sa më shumë që po kalojnë ditët, emocionet për këtë ndeshje po shtohen bashkë me entuziazmin dhe dëshirën e “dardanëve” që suksese të marrë pjesë një kompeticion madhor të futbollit.

Një gjë të tillë e deklaroi edhe ndihmëstrajneri i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti i cili në një intervistë për KosovaPress, fillimisht foli për përgatitjet që stafi i kombëtares ka bërë deri më tani.

Sahiti deklaroi se Kosova është e gatshme për përballjen ndaj Maqedonisë, ndërsa përgatitjet për këtë ndeshje kanë nisur qysh nga ndeshja e fundit, që “dardanët” kanë zhvilluar ndaj Anglisë.

“Sa më shumë që po afrohet koha e ndeshjes, aq më shumë po kemi angazhime rreth përgatitjes së kombëtares. Në fakt përgatitjet kanë filluar nga ndeshja e fundit e kualifikimeve që patëm me Anglinë dhe nga ai moment kanë filluar përgatitjet, ngaqë duke e pasur parasysh rëndësinë e kësaj ndeshje, kështu që jemi duke e përcjell jo vetëm lojtarët tanë por edhe kundërshtarin në formën e tyre, në përformacen e tyre kështu që deri më tani është duke shkuar puna mirë. Të mos kemi lëndime ato lëndime që i kemi pasur faktikisht janë kthyer, tanimë mbetet të shihet se çfarë gjendje do të kthehen për 26 mars”, u shpreh fillimisht Sahiti.

Të gjithë e dimë, se forma e “dardanëve” nuk është e duhura, mirëpo sipas Sahitit e rëndësishme është që futbollistët po kanë minutazh të duhur në skuadrat e tyre, andaj edhe forma e tyre është në rritje.

“Gjithmonë ne varemi nga performanca lojtarëve nëpër klube. Ndoshta mund të jetë ajo që për shkak që nuk kanë shënuar disa lojtarë, që vazhdimisht jemi mësuar që t’i shohim duke shënuar ose duke asistuar, por ajo që është më kryesorja është se ata po kanë minutazh dhe forma e tyre fizike është jashtëzakonisht e mirë, është ajo e njëjta e tash mos realizimi i golave ndikojnë edhe faktorët e tjerë , sidoqoftë ne jemi të kënaqur deri në këtë moment për performancat e tyre”, tha Sahiti.

Duke ditur se Maqedonia është një kundërshtar tejet i fortë për Kosovën, Sahiti ndër tjerash u shpreh se së bashku me stafin e kombëtares kanë analizuar çdo detaj të kundërshtarit, në mënyrë që Kosova të jetë më e përgatitur si fizikisht ashtu edhe emocionalisht për këtë ndeshje të rëndësishme.

“Po është një skuadër që nuk duhet me nënçmuar. Kemi lojtarë që luajnë nëpër klube jashtëzakonisht të organizuar dhe ata po kanë minutazh, sidomos lojtarët kryesorë por kjo ndeshje unë po besoj që nuk do të jetë ndeshje që vendos vetëm kualiteti por vendosin edhe faktorë të tjerë, kështu që mund të them se faktori i motivimit mund të ndikojë edhe më shumë. E mirë e kësaj është se ne kemi një kombëtare që në aspektin social janë shumë të bashkuar, janë shumë të lidhur lojtarët”, shtoi ai.

Sa i përket një parashikimi të mundshëm për këtë ndeshje, ndihmëstrajneri i Kosovës u shpreh se është vështirë për një gjë të tillë, duke parë edhe formën aktuale të të dyja kombëtarëve.

“E vështirë parashikimi, por sidoqoftë ne do të përgatitemi ndeshjen për të fituar. Thash që mund të ndikojnë edhe faktorë tjerë, ajo që është me rëndësi është se kemi ardhur deri tek ky moment që atë ëndërr që e kemi dhe vazhdon të jetë akoma e mundshme dhe unë po shpresoj që këta djem me 26 mars do të bëjnë gjithçka për arritur rezultat pozitiv”, përfundoi Sahiti.

Ndeshja Maqedoni – Kosovë zhvillohet më 26 mars, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin e qytetit në Shkup, ndërsa fituesi i kësaj ndeshjes do të luaj në finale me fituesin e ndeshjes tjetër Gjeorgji – Bjellorusi