Maqedoni: A po patrullojnë vërtetë 250 pjesëtarë të gardës së Iliridës

Hamdi Ndrecaj, nga Ferizaj, i ashtuquajturi komandant Panteri, thotë se zërat për paraqitjen në terren të uniformave të zeza nën emrin Garda e Iliridës (GRI) janë të sakta, por banorët e pyetur rreth kësaj thonë të mos kenë vërejtur patrullime të personave të uniformuar. 

Lajme

06/11/2014 16:59

Panteri, i cili prezantohet si pjesë e Gardës, thotë se 250 anëtarë të saj patrullojnë si vëzhgues në disa qytete të Maqedonisë. Sipas tij deri tani nuk janë regjistruar incidente, por anëtarët e Gardës tashmë kanë kontaktuar me banorë lokalë në malësinë e Sharrit dhe në Shkup.“Jo vetëm në malësinë e Sharrit apo Hasanbeg, ata janë në gjithë territorin e Iliridës, me përjashtim të Manastirit dhe Prilepit. Por, të themi kështu, pjesëtarët e Gardës për momentin janë të armatosur shumë lehtë dhe janë në cilësinë e vëzhguesve”, deklaroi Ndrecaj.

Zv/ministri i Brendshëm, Zimri Qamili thotë se informatat e tilla nuk kanë të bëjnë me realitetin. Incidenti në Malësinë e Tetovës sipas tij nuk ka lidhje me uniforma të zeza dhe “mediat kanë shtrembëruar deklaratat e tij rreth këtij incidenti”.

“Kam qenë i pyetur për një rast, i cili ka ndodhur më 02.11.2014 në Tetovë, ne si MPB e kemi të evidentuar si rast. Rasti ka qenë thjesht një kanosje ndaj dy punonjësve të ujësjellësit të Tetovës, nga dy persona ende të paidentifikuar nga MPB-ja. Ne si MPB punojnë për zbardhjen e rastit por nuk ka pasur të bëjë me uniforma të zeza ose ku ta di çfarë uniformash. Tash për tash nuk kemi ndonjë të dhënë se ajo që është paraqitur në rrjetet sociale se patrullojnë në terren, ne si MPB nuk kemi ashtu të dhëna”, deklaroi ai.

Ekipi i televizionit Alsat ka vizituar mbrëmë edhe Malësinë e Tetovës, por nuk janë vërejtur patrullime të personave të uniformuar. Edhe qytetarët e Tetovës thonë se nuk kanë vërejtur paraqitje të tillë.