Maqedonasit mashtrojnë me flamurin e Gardës së Iliridës

 Garda e Republikës së Iliridës rezulton një mashtrim, ku përfshihen edhe të rinj maqedonas.

Lajme

07/11/2014 18:50

Policia ka arrestuar shtetasin Kristijan S. (18), i cili vetëm një javë më parë do të njoftonte policinë se ishte ndaluar nga patrulla e Gardës së Republikës së Iliridës.

Arsyeja për arrestimin është tentimi i 18-vjeçarit që në shtizën me flamurin shtetëror të Maqedonisë, në lagjen Çento të Shkupit, të vendosë një flamur të zi me mbishkrimin e Gardës, njofton portali Zhurnal.

Banorët e lagjes kishin njoftuar menjëherë policinë, e cila në shtizën e flamurit ka gjetur një cohë të zezë me mbishkrimin e Gardës.

Në bazë të të dhënave që ka siguruar policia, është mësuar se autori i vendosjes së flamurit të Gardës së Iliridës është i riu maqedonas, Kristijan S.

Ai dyshohet gjithashtu se ka ngjitur në muret e Bashkësisë Lokale të fshatit Inxhikovë disa mbishkrime me emrin e Gardës së Iliridës.

Kundër të riut maqedonas do të ngrihet kallëzim penal për “nxitjen e urrejtjes nacionale, racore dhe fetare”.