MAPL kërkoi nga Zyra Ligjore e KQZ-së të shkelet ligji

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 18 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Megjithatë, në mesin e subjekteve të certifikuara nuk janë ende partitë e mëdha, si PDK, LDK, AAK apo VV, por shumica kanë qenë të komuniteteve. 

Lajme

19/05/2014 20:17

KQZ-ja në mbledhjen e saj ka bërë edhe ndërrimin e anëtarëve të kuvendeve komunale në veri të Kosovës, ku pati kundërshtime, pasi shkresat e dërguara nga kuvendet komunale nuk përmbanin asnjë simbol të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Zyrës ligjore në KQZ, Xhemajl Peqani tha se këto zëvendësime kanë qenë maratonike, sepse gati qe tre muaj sillen nëpër zyrën ligjore, mirëpo kanë një kërkesë që nuk i ka përmbushur kriteret.

“Ne kemi trajtuar dy herë në këshill dhe këshilli ka dhënë rekomandimet dhe propozimet në takimin e parë që janë dalë në këshillin e operacioneve zgjedhore dhe ato rekomandime që janë kërkuar i kemi dërguar prapë, dhe arsyet kanë qenë se kanë dalë në këshill pasi kemi marrë një konfirmim nga Ministria e Pushtetit Lokal, ku thotë se pas përmirësimeve, dje janë miratuar statutet e tyre, megjithatë ato nuk kanë miratuar vulat dhe stemat komunale, prandaj shkresat e tyre nuk përmbajnë këto simbole janë të pranueshme”, tha Peqani, raporton KosovaPress.

Këto i ka kundërshtuar  anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, AdnanRrustemi, i cili tha se nuk duhet aprovuar pasi që nuk përmbajnë asnjë simbol të shtetit të Kosovës.

Madje, Rrustemi tha se e-mail i dërguar nga sekretari i Ministrisë së Pushtetit Lokal nuk i obligon aspak që ta ndjekin udhëzimin e tij.

“Nëse ligji mbi simbolet na thotë që çdo shkresë zyrtare duhet ta ketë stemën e Kosovës, ne nuk mund ta pranojmë një shkresë dhe ta procedojmë duke shkelur ligjin. Nëse ata e kanë shkelur ligjin deri këtu, ne këtu po bëhemi pjesë e shkeljes së ligjit”, tha Rrustemi.

Por pro ishte anëtari i LDK-së, Florian Dushi, i cili tha se duhet të jenë me fleksibil, pasi shumë çështje për të cilat janë bërë zhurmë në zgjedhjet e vitit 2013, tanimë nuk janë temë në këto zgjedhje.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, EnisHalimi ka njoftuar anëtarët e KQZ-së se janë 5 mijë e 800 aplikacione të qytetarëve jashtë vendit që janë interesuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Po vazhdon ndryshimi i listave të kandidatëve për deputetë, të dërguara nga subjektet politike në KQZ.

Ata kanë të drejtë ligjore të bëjnë ende ndryshime, e deri më tani, sipas burimeve të KosovaPress, PDK-ja ka zëvendësuar një kandidat dhe e ka lëvizur renditjen, LDK-ja e ka zëvendësuar po ashtu një kandidat për deputetë, por nuk e ka ndryshuar renditjen, ndërsa AAK-ja e ka ndryshuar vetëm renditjen.