Manipuluesit i pret burgu

Prokurorja Laura Pula thotë se manipuluesit e votave do të ndalohen dhe arrestohen. Prokuroria e Kosovës ka angazhuar 50 prokurorë në përpjekje për t’i parandaluar keqpërdorimet.

Lajme

18/10/2013 15:46

Fenomeni i vjedhjes së votave i përcjellë nga zgjedhjet e kaluara, ka bërë që të mobilizohen të gjitha institucionet e sundimit të ligjit për të shtuar kontrollin gjatë zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Për këtë qëllim është organizuar edhe seria tryezave të diskutimit “Drejtësia në Zgjedhjet e 3 nëntorit” projekt që zbatohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit në shtatë qendrat kryesore në Kosovë.

Në debatin e sotëm në Mitrovicë, Laura Pula Koordinatore Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, tha se këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv, pasi është nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe janë krijuar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV).

“Janë caktuar 50 prokurorë në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit”, ka thënë Pula.

Pula theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalimi dhe arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit.

“PSV’të ofrojnë mundësi që të reagojnë në të gjitha rastet me urgjencë. Pra, do të reagojmë dhe arrestojmë persona edhe në rastet kur kryhen veprat penale kundër të drejtave të votimit dhe nuk lajmërohen nga përgjegjësit që duhet ta bëjnë këtë… Po ashtu, do të ndalojmë të gjithë personat që bombardojnë opinionin publik me informata të rrejshme, të cilat krijojnë opinion të gabuar për qëllime të caktuara”.

Betim Musliu nga IKD tha se ky institut vitin e kaluar ka publikuar raportin “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”, në të cilën kishte bërë rekomandime konkrete rreth rolit proaktive që duhet ta ketë Prokurori i Shtetit në rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit, gjë që po ndodh tani, por që ky rol duhet të monitorohet deri në përfundim të procesit të zgjedhjeve.

Koordinatori për zgjedhje nga Policia e Kosovës, Rashit Qalaj, tha se Policia e Kosovës ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit.

“Duhet ta dinë të gjithë që policia në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë me urgjencë për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve. Nuk ka pardon për askënd, këtë duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët, partitë politike, komisionerët e tyre, zyrtarët apo kushdo tjetër që tenton të përfshihet në keqpërdorime”.

Me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve për të kontrolluar zgjedhjet.