Manipuluesit do të ndiqen

Organet e drejtësisë premtojnë ndjekje të manipuluesve të votës. Në tryezën “Drejtësia në Zgjedhjet e 3 nëntorit” u tha se në këto zgjedhje do ndëshkohen edhe ata që bëjnë keqpërdorime, por edhe ata që nuk i raportojnë ato.

Lajme

22/10/2013 15:14

Organet e drejtësisë premtuan se nuk do të rrinë duarkryq ndaj keqpërdoruesve eventualë të votës së 3 nëntorit.

Koordinatorja Nacionale e Shtetit për Zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka thënë në një tryezë për drejtësinë dhe zgjedhjet e 3 nëntorit se kësaj herë procedurat standarde të veprimit do ndëshkojnë jo vetëm komisionerët por të gjithë personat që nuk raportojnë keqpërdorimin. Prokuroria e shtetit dhe Polica do kenë rol më proaktiv.

“Si parim kryesor nga këto procedura standarde të veprimit është ndalim arrestimi i të gjithë personave të cilët krijojnë vepra penale kundër të drejtës së votimit. Nisur nga ky parim kemi edhe kritere të tjera nga kjo procedurë standarde e cila është e lidhur me Prokurorin e shtetit dhe Policia e Kosovës. Në rolin proaktiv të këtyre dy institucioneve të cilat janë bazë për fillimin e procedurave hetimore“.

“Këtë herë nuk mund të dënohen vetëm komisionerët.”

“Këtë herë i gjithë stafi i emëruar nga KQZ’ja i cili numëron në vete edhe anëtarë të tjerë të tavolinave mbështetëse, dhe të gjithë zyrtarët që gjinden brenda qendrave të votimit, mirëpo nuk raportojnë për keqpërdorimin e votës janë nën llupën e prokurorit, nën llupën e policisë në ditën e zgjedhjeve, dhe automatikisht pas verifikimit të marrë nga qendra e vendvotimit automatikisht do të fillohen procedurat për ndalim arrestimin edhe të komisionerëve dhe stafit tjetër përcjellës të emëruar nga KQZ’ja”, ka thënë Laura Pula.

Me synimin e rritjes së efikasitetit, muajin e kaluar është nënshkruar një Memorandum në mes të të gjitha institucioneve të drejtësisë, Policisë së Kosovës, KQZ’së, PZAP dhe shoqërisë civile.

Betim Musliu nga Instituti Kosovar i Drejtësisë tha se manipulimi masiv që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, duke përfshirë një numër enorm të komisionerëve në manipulimin e votave e ka kthyer Kosovën mbrapa, duke nxjerr institucione jo shumë legjitime, dhe duke prishur imazhin e Kosovës në sytë e botës.

“Kemi kërkuar nga Prokurori i shtetit që të ketë një rol më proaktiv në ndjekjen e rasteve gjatë zgjedhjeve”.

“Sivjet për zgjedhjet e 3 nëntorit kemi një rol më proaktiv . Prokurori i shtetit në iniciativë të kryeprokurorit e ka nënshkruar një Memorandum të bashkëpunimit me të gjitha institucionet e drejtësisë. Nga ky memorandum janë krijuar edhe procedurat standarde të veprimit të cilat nëse zbatohen ashtu siç janë vërtetë do të sigurojnë një efektshmëri të organeve ndjekëse. Pra Policia dhe Prokuroria do të bëjnë një punë shumë të mirë”, ka thënë Betim Musliu.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka tha se kësaj here do të ketë prokurorë ne terren që do jenë kujdestarë 24 orë në ditën e zgjedhjeve.

“Ne kemi caktuar 10 prokurorë kujdestarë dhe ata do të jenë mobil, në vendet e mëdha të qendrave të votimit, posaçërisht në stacionet ku ata do ta kenë bazën ku do të rrinë 24 orë”.

“Kësaj radhe ka me qenë pak më ndryshe. Ne kemi marrë për bazë që ta mbrojmë votën e lirë ashtu siç e parasheh ligji. Ne e dimë që vota është bazë e një demokracie”, tha Beka.

Ndërkaq Rashit Qalaj, Koordinator për zgjedhje nga Policia e Kosovës, tha se duke u bazuar në memorandumin e nënshkruar dhe në planin operativ të Policisë së Kosovës, do mundësohet veprim i shpejt dhe efikas gjatë zgjedhjeve.

“Bashkëveprimi me prokurorinë e shteti ka vetëm një qëllim që të reagojmë sa më shpejt që është e mundur dhe të jemi sa më efikas.”

“Prokurorët në çdo komunë do të jenë të shoqëruar me dy hetues. Ligji mbi zgjedhjet e ka kufizuar Policinë e Kosovës që mos të ketë qasje brenda qendrave të votimit. Esenca e procedurës së veprimit është që të kemi mundësi të operojmë edhe brenda nëse ka nevojë”, tha Qalaj.