Manipulimet e turpshme të LDK’së

Nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, akuzon LDK’në për blerje industriale të votave. Konsideron se ka bërë “manipulim të turpshëm”. Thotë se organet kompetente duhet t’i hetojnë rastet, e të mos heshtin përballë dëshmive publike.

Lajme

29/11/2013 14:06

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim të procesit zgjedhor.

Në një konferencë për media, të mbajtur sot, ai ka pohuar se të gjitha parregullsitë dhe blerja industriale e votave në këto zgjedhje, kanë një adresë. E sipas tij, kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai e ka quajtur Shtabin Zgjedhor të kësaj partie, në krye me Isa Mustafën, “mashtrues dhe manipulues tinëzarë”.

“Përkundër kulturës së lartë demokratike të dëshmuar nga qytetarët e Kosovës gjithandej, procesi zgjedhor është karakterizuar me shkelje ligjore dhe akte të turpshme, të ndërmarra kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës”.

“Jemi këtu për të dënuar fuqishëm blerjen industriale të votave anekënd Kosovës që LDK po e zhvillon që nga raundi i parë, e tani edhe para balotazhit”.

“Ky manipulim i turpshëm, tanimë edhe i faktuar me dëshmi konkrete, bëhet krahas shkeljeve të tjera ligjore që LDK ka bërë në vazhdimësi, siç ishte edhe vjedhja e votave nga militantët e LDK’së gjatë numërimit të votave në KQZ”.

“Kosova me sjelljet e qytetarëve të saj kaloi një test të demokracisë, duke dhënë shembull në rajon për zgjedhje demokratike. Mjerisht, sot kjo rrezikohet të deformohet nga mashtruesit dhe manipuluesit tinëzarë të LDK’së, të cilët, të kapur nga paniku i humbjes, po synojnë që me para të pista të blejnë vota në mënyrë industriale”.

“Tanimë është e qartë se adresa e gjithë këtyre manipulimeve është pikërisht Shtabi Zgjedhor i LDK’së, në krye me Isa Mustafën”.

“LDK tashmë hapur e ka dëshmuar se nuk mund të fitojë në mënyrë të ndershme dhe ligjore, prandaj është duke shfrytëzuar çdo metodë antiligjore për të arritur qëllimet e veta kriminale”.

Memli Krasniqi, më tutje, ka deklaruar se partia e tij është e habitur nga mosreagimi i organeve të rendit dhe ligjit për këtë çështje.

Ai ka ftuar këto organe që të kryejnë sa më shpejt punën e tyre.

“Ne, të habitur me heshtjen e organeve kompetente ndaj dëshmive publike për blerje industriale të votave nga ana e LDK’së, u bëjmë thirrje këtyre organeve që t’i hetojnë dhe denoncojnë rastet e këtilla, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në të gjitha qendrat e tjera ku LDK është duke ndërmarrë veprime antiligjore”.

“Ne ftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos bien pre e këtyre manipulimeve dhe manipulantëve, që më së paku mërziten për mirëqenien e qytetarëve dhe që t’i ndëshkojnë ata me votën e tyre më datën 1 dhjetor”, ka thënë Memli Krasniqi.