Mandzukic: Po largohem nga Bayerni

Mario Mandzikuc ka njoftuar se këtë verë do të largohet nga Bayerni, pasi nuk është duke u përshtatur me stilin e lojës që e aplikon trajneri Pep Guardiola. Sulmuesi kroat i ka uruar çdo të mirë në të ardhmen, gjigantit bavarez.

Sport

09/06/2014 10:43

Mario Mandzukic ka konfirmuar se do ta lë Bayern Munichun, si rezultat i dështimit të adaptimit në taktikat e Pep Guardiolës.

Mandzukic flitej se mund të transferohet në Premierligë, përfshirë këtu Chelsean, pasi e ardhmja e tij në Bundesligë është vënë në dyshim, pasi Robert Lewandowski u transferua në Bayern Munich.

Përfaqësuesi kroat, i cili ishte lojtar i rregullt kur në krye të shtabit teknik ishte Jupp Heynckes, ka mbetur shpesh jashtë ekipit të parë, nën drejtimin e spanjollit.

“Në Bayern, ishte një eksperiencë fantastike, është një klub fantastik. Të jem i sinqertë, deri para pak kohësh, nuk po mendoja të largohem, por tash kjo po ndodh”, deklaroi 28 vjeçari për ‘Sportske novosti’.

“Të jemi të sinqertë, stili i Guardiolës në Bayern nuk më përshtatet mua. Në ndeshjen e parë ndaj Realit në Madrid, e kam kuptuar se, sado që mundohesh, nuk mund ta jepja më të mirën nga vetja me stilin tim”, vazhdoi ai.

“Kur është kështu, nuk ndihem mirë dhe është mirë për çdokënd që të ndahemi. E falënderoj klubin që ma ofroi vazhdimin e kontratës, e falënderoj Guardiolën, i cili është trajner i madh dhe ua uroj secilit çdo të mirë në të ardhmen”, vijoi ai.

“Bayerni dhe tifozët do të mbeten gjithmonë më të mirët dhe historia më emocionuese në karrierën time. Ka ardhur koha për sfida të reja”, përfundoi Mandzukic, i cili refuzoi të tregonte se cili do të jetë ekipi i tij i ri.