Mandati i EULEX-it dhe ‘Tribunali’ votohen në pako

Presidentja Atifete Jahjaga do të kërkojë nga BE krijimin e “Tribunalit”. Kjo gjë do të bëhet përmes letrave që do të shkëmbejë me Baroneshën Catherine Ashton. Këto letra pritet të vijnë dhe të votohen në Kuvend si ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Lajme

08/04/2014 07:08

Presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, është autoriteti që do të kërkojë nga Bashkimi Europian themelimin e një gjykate të veçantë për të gjykuar personat përgjegjës për krimet më serioze që pretendohet se jenë kryer përgjatë viteve 1998 – 2000 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që janë të evidentuara në raportin e senatorit Dick Marty.

Do ta bëjë këtë, pa pasur qëndrimin paraprak të Kuvendit, raporton sot Koha Ditore.

Gjykata do të themelohet me të njëjtat instrumente që do t’i sigurojnë mandat shtesë misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Do të bëhet nëpërmjet këmbimit të letrave ndërmjet presidentes Jahjaga dhe shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, baroneshës Catherine Ashton. Draftet janë finalizuar tashmë.

Të hënën në mëngjes, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i ka vënë në dijeni përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të subjekteve politike me përmbajtjen e letrave. Pas shkëmbimit, ato do të votohen në Kuvend, në formë ligji për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Që votimi të dalë i suksesshëm, kërkon votat e dy të tretave të deputetëve.

Sipas letrës së Jahjagës drejtuar BE-së, del se ajo mbështetë vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

“Me përjashtim të dispozitave për SIFT (Task Forca Hetimore Speciale) dhe çfarëdo procedure gjyqësore që mund të dalë prej tyre, kjo do të ishte data përfundimtare e pritur për EULEX-in në Kosovë”.

“Pa marrë parasysh përfundimin e mandatit të EULEX-it, përmes kësaj konfirmoj se puna dhe mandati i deleguar, në mënyrë të operacionalizimit të këshillave të sipërpërmendura gjyqësore dhe zyrës së prokurorit specialist me gjyqtarë të përkushtuar të EULEX, prokurorë dhe staf mbështetës, do të vazhdojë deri kur Kosova të informohet nga Këshilli i Bashkimit Europian se hetimet kanë përfunduar dhe çfarëdo procedure nga këshillat gjyqësore që kanë rezultuar prej tyre janë përmbyllur”.

Task Forca Hetimore Speciale e cila u themelua nga Këshilli i BE-së, si rezultat i daljes në pah nga raporti i Dick Marty- dhe pikërisht për këto krime të supozuara që thuhen në raport, do të merret Tribunali për Kosovën.

Por në letërkëmbimin e Baroneshës Ashton vërehet se ajo nuk i referohet Tribunalit me këtë term, por përdorë termin “Task Forcë për Kosovën”.

“Puna e Task Forcës së EULEX Kosovë për Hetime Speciale dhe çfarëdo procedure gjyqësore që mund të dalë prej saj do të vazhdojë deri kur Këshilli i BE-së ta informojë Kosovën se hetimet dhe procedurat gjyqësore janë përballur”, thuhet në letrën e Baroneshës Ashton, raporton Koha Ditore.