Man Utd ndalon pajisjet elektronike
Manchester United ka befasuar duke krijuar një listë të gjësendeve që do të jenë të ndaluara për ndeshjet në Old Trafford. Tani e tutje nuk do të lejohen pajisjet e mëdha elektronike si iPad, tabletë e laptop.

Sport
Manchester United ka bërë një hap të papritur duke ua ndaluar tifozëve që të ndjekin ndeshjet në Old Trafford nëse kanë me vete iPad ose pajisje të tjera të mëdha elektronike.
Qëndrimi agresiv sa i përket kufizimit të pajisjeve elektronike në stadium vjen para ndeshjes së parë të Louis van Gaal si menaxher i Manchester Unitedit në Old Trafford kundër Valencias të martën.
Tifozët që do të ndjekin takimin kanë marrë një e-mail nga klubi duke i informuar për procedurat e reja të sigurisë.
“Ne duam t’ju informojmë për ndryshime në politikën e klubit sa i përket ndeshjeve si nikoqir. Tifozët nuk mund të marrin me vete pajisje të mëdha elektronike (më të mëdha se 150mmx100mm) brenda stadiumit. Për shembull, iPad ose pajisje tjera tabletë dhe laptop janë të ndaluara”, thuhet në të.
“Po ashtu jeni të vëmendshëm se çanta të mëdha, kamera të mëdha ose shishe (në përjashtim të ndonjë shishe të vogël me ujë të cilës mund t’i hiqet kapaku) hyjnë në listën e gjësendeve të ndaluara. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj në këtë çështje”.