Man Utd fiton me Januzajn
I inspiruar nga Adnan Januzajt, dhe falë dy golave nga debutuesi James Wilson dhe një tjetër nga Robin van Persie, Manchester United mposhti Hull Cityn në Old Trafford me rezultat 3:1.
Sport
Manchester United mposhti Hull Cityn me rezultat 3:1, në ndeshjen ku menaxheri i përkohshëm Ryan Giggs inkuadroi në formacionin bazë Adnan Januzajn dhe disa futbollistë të tjerë të rinj.
Pikërisht njëri prej debutuesve, James Wilson e kaloi e Unitedin në epërsi – pas një harkimi në zonë nga Januzaj, që u ul me kokë nga Marouane Fellaini – pas gjysmë ore lojë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Pas intervalit, Wilson shënoi sërish në minutën e 61-të, kur Januzaj depërtoi nga krahu i djathtë dhe shërbeu në qendër për Fellainin, goditjen e së cilit e priti portieri kundërshtar, por i riu Wilson e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia. Në minutën e 64-të, Matt Fryatt shënoi për Hullin nga distanca duke ngushtuar disavantazhin.
Në minutën e 70-të, Giggs e inkuadroi veten në lojë në atë që pritet të jetë dueli i tij i fundit si futbollist në Old Trafford.
Kurse, rezultatin përfundimtar e vendosi Robin van Persie në minutën e 87-të, pas inkuadrimit në lojë në vend të Wilson në minutën e 64-të. Me këtë fitore, United ngjitet në kuotën e 63 pikëve në pozitën e shtatë.