Man United në bisedime me Lingard për kontratë të re

Manchester United janë në bisedime me mesfushorin ofanziv, Jesse Lingard për rinovimin e kontratës.

Sport

16/09/2021 22:43

Menaxheri i ‘djajve’, Ole Gunnar Solskjaer ka konfirmuar se Man United është në bisedime për të zgjatur kontratën me Jesse Lingard.

“Atij [Lingard] i ka mbetur edhe një vit nga kontrata e tij dhe natyrisht klubi po bisedon me të dhe babanë e tij. Ne e shohim atë si një lojtar të Man Utd edhe në të ardhmen”, është shprehur norvegjezi. 

Përndryshe, United janë në bisedime të vazhdueshme për rinovimet e kontratave edhe me Paul Pogba e Bruno Fernandes. 

Klubi është optimist se një marrëveshje mund të arrihet mes dy futbollistëve, të cilët janë bindur me cilësinë e shtuar në këtë merkato, duke bërë një skuadër konkurruese për tituj. 

United realizuan një fitore të madhe në fundjavë ndaj Newcastles, në debutimin e Cristiano Ronaldos i cili shënoi një dopietë në fitoren 4-1 të klubit. 

Sidoqoftë gjërat shkuan keq për “djajtë” në mesjavë kur ata humbën ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Ligës së Kampionëve, në ndeshjen ku mbetën me një lojtar më pak pasi mbrojtësi i djathtë Wan Bissaka doli nga loja në pjesën e parë pas një ndërhyrje të ashpër ndaj futbollistit të Young Boys.

Klubi anlgez ndeshjen e ardhshme do të luajë të dielën në kuadër të Premier Ligës, ndaj skuadrës së West Ham. /Lajmi.net