Maloku: Vetëm Vetëvendosje ka të drejtë morale të mos e votojë Gjykatën Speciale

Një nga zyrtarët e lartë të Aleancës Kosova e Re, njëherësh ish nënkrytar i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Naim Maloku, ka thënë se Gjykata Speciale po formohet si rezultat i dështimit të organeve të drejtësie në Kosovë.

Lajme

06/01/2015 11:30

Ai ka thënë se përveç Vetëvendosjes, për këtë dështim kanë kontribuuar të gjitha partitë parlamentare, dhe se përveç saj (Vetëvendosjes) asnjëra nuk ka të drejtë morale për të kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale, që do merret me trajtimin e krimeve të supozuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që mund të jenë kryer nga pjesëtarë të ish-ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.   

Duke komentuar qëndrimet e partive opozitare, që janë shprehur kundër votimit të Gjykatës Speciale në Kuvend, Maloku në një postim në profilin e tij në Facebook, ka shtuar një pyetje edhe Vetëvendosjes: A është më mirë që kjo gjykatë të themelohet nga Kuvendi i Kosovës apo përmes ndonjë rezolute nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së?

“Partitë opozitare po paralajmërojnë qe nuk do e votojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Siç e dimë  të gjithë kjo gjykatë do te ngritët si rezultat i paaftësisë se Kosovës për të ndërtuar sistem gjyqësor kredibil dhe te paanshëm, për t’ i trajtua lëndët për të cilat do të këtë mandat kjo gjykatë”, ka shkruar Maloku.

“Po ashtu Kosova për këto 15 vite ne liri nuk e ka dëshmua që ka ndërtuar sistem të burgjeve në të cilat do te zbatohet vetëm ligji dhe ku të gjithë të burgosurit do të jenë të barabartë”.

“Këto janë fakte te cilat në të gjithë duhet t’i pranojmë në mënyrë që të punojmë në përmirësimin e këtyre defekteve, si kusht që të ecim përpara në rrugën e integrimeve euro atlantike, aty ku synojmë të gjithë”.

“Gjykata Speciale pra, është rezultat i dështimit tonë në ngritjen e këtyre institucioneve, dhe kurrsesi e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare”.

“Në ketë përbërje të Kuvendit të Kosovës të drejtë morale të mos e votojë ligjin për Gjykatën Speciale e ka vetëm Vetëvendosje, ndërsa të gjitha partitë e tjera kanë qenë, në periudha te ndryshme, pjesë e qeverisjes së Kosovës dhe kontribuuese direket në ketë dështim”, ka thënë ndër të tjera Maloku.