Malishevasit nuk e duan bashkimin me Gjakovën

Kuvendi Komunal i Malishevës me një vonesë prej afro 2 vjetësh e ka trajtuar kalimin e shumicës së institucioneve komunale, nga rajoni i Prizrenit nën rajonin e Gjakovës, shkruan sot Koha Ditore.

Lajme

29/11/2014 10:39

Anëtarët e KK-së të gjetur tashmë para aktit të kryer, unanimisht e kanë kundërshtuar këtë, dhe kanë kërkuar fillimin e procedurave për rikthim nën regjionin e Prizrenit.

Kreu i anëtarëve të LDK-së në KK të Malishevës, Januz Kastrati i ka thënë të premten KD-së se kundërshtimi i kalimit nën rajonin e Gjakovës është shqetësim i vetë qytetarëve.

“Qytetarët thonë se kemi qenë gjithmonë të lidhur me Prizrenin si rajon, na lidh edhe konteksti historik me këtë rajon që kur ka qenë organizimi në qarqe”, ka theksuar ai.

“Tashti kur e kemi edhe autostradën e cila na krijon lehtësi udhëtimi, ndërkohë që me Gjakovën nuk kemi as lidhje autobusësh, është e kuptueshme kërkesa e qytetarëve”, ka shtuar Kastati.

Ahmet Rrahmanaj, anëtar i PDK-së në KK të Malishevës, ndërkaq ka tërhequr vërejtjen se është e papranueshme mënyra se si Malisheva ka kaluar nën rajonin e Gjakovës. /Koha Ditore/