​Mali i Zi drejt BE-së, Kroacia bllokon kapitullin 4 – ja cili vendim u mor për Shqipërinë

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së miratuan sonte mbylljen e tre kapitujve të negociatave me Malin e Zi, dhe i katërti, për të cilin vendi ishte gati, nuk do të mbyllet për shkak të kundërshtimit të Kroacisë, raportojnë mediat kroate. Konferenca ndërqeveritare për anëtarësimin në të cilën Mali i Zi do të mbyllë këta tre…

Lajme

13/12/2024 21:09

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së miratuan sonte mbylljen e tre kapitujve të negociatave me Malin e Zi, dhe i katërti, për të cilin vendi ishte gati, nuk do të mbyllet për shkak të kundërshtimit të Kroacisë, raportojnë mediat kroate.

Konferenca ndërqeveritare për anëtarësimin në të cilën Mali i Zi do të mbyllë këta tre kapituj – Ligji i Pronësisë Intelektuale, Shoqëria e Informacionit dhe Media dhe Ndërmarrësia dhe Politika Industriale – do të mbahet të hënën, më 16 dhjetor.

Mali i Zi ishte teknikisht gati për të mbyllur katër kapitujt, por Kroacia ishte kundër mbylljes së kapitullit të politikës së jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.

Muajin e kaluar, Kroacia dërgoi një ‘non-paper’ në Podgoricë, në të cilin kërkonte zgjidhjen e çështjeve të hapura që dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në dokument, sipas burimeve diplomatike, thuhet se të dyja vendet duhet të zgjidhin çështjen e pronësisë së anijes “Jadran”, demarkacionin reciprok, procedimin e krimeve të luftës, gjetjen e personave të zhdukur dhe çështjen e emrit të pishinës në Kotorr, e quajtur sipas ish-vaterpolistit Zoran Gopçeviq për të cilin Kroacia thotë se ishte roje në kampin “Morinj”.

Metodologjia e re e negociatave të anëtarësimit, e miratuar në fillim të 2020, parashikon që në vend të kapitujve individualë, të hapen disa prej tyre, të cilët janë të lidhur në gjashtë grupime – pra në gjashtë njësi tematike.

Ambasadorët arritën sot gjithashtu marrëveshje për hapjen e një kapitulli me Shqipërinë, grupi 6, i cili do të hapet të martën, më 17 dhjetor.

Grupi 6 përfshin dy kapituj: marrëdhëniet e jashtme dhe politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.