Malazezët e kroatët do të përfshihen në Kushtetutë

Kryeministri Hashim Thaçi garanton se pakica malazeze do të jetë komunitet pas ndryshimeve kushtetuese. Ai thotë se me ndryshimet kushtetuese, komuniteti malazez dhe ai kroat do t’i kenë të drejtat demokratike dhe nacionale konfrom standardeve europiane.

Lajme

26/01/2014 18:12

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se me rekonstruktimin e Kushtetutës së Kosovës, të cilën e parasheh Marrëveshja e Brukselit, komuniteti malazez do të hyjë në aktin më të lartë juridik të vendit.

Në një intervistë për Televizionin Publik të Malit të Zi, Thaçi ka kë bërë të ditur se ka qenë përkrahës i idesë për ta inkuadruar komunitetin malazez si komunitet zyrtar në Kushtetutë.

“Që nga fillimi kam qenë pro idesë që komuniteti malazez të jetë pjesë e Kushtetutës. Kjo do të ndodhë me ndryshimet kushtetuese. Me këto ndryshime do t’i mundësohet komunitetit malazez dhe atij kroat të jetë pjesë e Kushtetutës”.

Ai ka shtuar se i vjen mirë që edhe komuniteti malazez ka filluar që të ketë organizime politike në Kosovë.

“Kosova dhe Mali i Zi kanë një bashkëpunim të mirë, kështu që komuniteti malazez që jeton në Kosovë do t’i gëzojë të gjitha të drejtat demokratike dhe nacionale të cilat i takojnë sipas standardeve më të larta europiane”.

Mali i Zi do të ngrisë të deleguarin e vet në Kosovë në nivel ambasadori, atëherë kur t’i sigurohet një tretman i përshtatshëm komunitetit malazez në Kushtetutën e Kosovës, thuhet në raport e Televizionin Publik të Malit të Zi.

Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanovic, më parë kishte deklaruar se nuk do të nënshkruajë dekretin për emërimin e Ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, përderisa Prishtina nuk do t’i japë pakicës malazez status komuniteti.