‘Magjiku’ Durant e dërgon Warriorsin në çerekfinale

Kampionët në fuqi të NBA, Golden State Warriors kaluan në fazën çerekfinale të Play Off-it, pasi eliminuan Los Angeles Clippers me rezultatin e përgjithshëm 4-2.

Sport

27/04/2019 11:51

Kualifikimi për Warriors u vulos në “Staples Center” të Los Angelesit, ku kampionët në fuqi, të udhëhequr nga një Kevin Durant “magjik, arritën të fitojnë me rezultatin 110-129, duke e bërë të panevojshme luajtjen e përballjes së shtatë mes tyre.

Golden State dominoi takimin në 3 fraksionet e para, ku veçanërisht në pjesën e dytë, fituan me 15 pikë më tepër se Clippers, ndërsa këta të fundit u zgjuan vetëm në pjesën e fundit, kur gjithçka kishte marrë fund.

Kevin Durant ishte lideri i Warriors dhe me meritë u shpall më i miri i ndeshjes, pasi arriti të realizojë 50 pikë, të japë 5 asiste dhe të rikuperojë 6 topa në tabelë, shifra këto të rralla në sportin e basketbollit.

Në çerekfinale, Golden State Warriors do të përballet me Houston Rockets, ndërsa sfida e parë mes tyre do të luhet nesër në “Oracle Arena” të Oaklandit.