Madruo tërhiqet një hap mbrapa – zbaton kërkesën e Trumpit

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka miratuar një fluturim riatdhesimi të emigrantëve nga Shtetet e Bashkuara, sipas njoftimit të autoriteteve të vendit të bërë publik sot, vetëm pak ditë pasi Karakasi deklaroi se komentet e presidentit amerikan Donald Trump kishin ndërprerë në mënyrë efektive programin. “Sipas kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Autoriteti i…

Bota

02/12/2025 18:22

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka miratuar një fluturim riatdhesimi të emigrantëve nga Shtetet e Bashkuara, sipas njoftimit të autoriteteve të vendit të bërë publik sot, vetëm pak ditë pasi Karakasi deklaroi se komentet e presidentit amerikan Donald Trump kishin ndërprerë në mënyrë efektive programin.

“Sipas kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Autoriteti i Aviacionit të Venezuelës ka marrë miratimin për të rifilluar fluturimet e riatdhesimit nga ky vend drejt Venezuelës,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Transportit të publikuar sot.

Një fluturim i kompanisë Eastern Airlines nga Feniksi është autorizuar të ulet në aeroportin e Maiketías, pranë Karakasit, shtoi ministria. Fluturimet e riatdhesimit zhvilloheshin dy herë në javë, por qeveria e Venezuelës deklaroi fundjavën e kaluar se komentet e Trumpit, sipas të cilit hapësira ajrore e Venezuelës duhet të konsiderohet e mbyllur, përbënin në thelb një ndërprerje të njëanshme të fluturimeve, në kuadër të tensioneve gjithnjë e më të larta mes dy vendeve.

Deklaratat e Trumpit të shtunën, se hapësira ajrore “mbi dhe rreth Venezuelës” duhet të konsiderohet “plotësisht e mbyllur”, shkaktuan shqetësim dhe pasiguri në Karakas, ndërsa administrata e tij rriti presionin ndaj qeverisë së Maduros.

Më herët, qeveria e Venezuelës kishte bërë të ditur se deri në 14.000 venezuelianë ishin kthyer nga Shtetet e Bashkuara përmes këtyre fluturimeve, nga shkurti deri në nëntor, në një kohë kur administrata Trump ishte përfshirë në një fushatë të ashpër ndaj emigrantëve në SHBA.