LVV në Tiranë: Nuk ka figurë si Skënderbeu që ka ndikuar në kujtesën kombëtare

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka vlerësuar se prej 552 vitesh, nuk ka figurë tjetër si Gjergj Kastrioti Skënderbeu në mendimin politik dhe në kujtesën kombëtare që ka frymëzuar me thellë e me gjerë.

Lajme

17/01/2020 19:19

Shkrimi i plotë i LVV-së:

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Çdo 17 janar shënojmë shuarjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Prej 552 vitesh nuk ka figurë tjetër si ai në mendimin politik dhe në kujtesën kombëtare që ka frymëzuar me thellë e me gjerë.

Ashtu si Rilindja kombëtare na e risolli shenjën dhe projektin kastriotas të ndërtimit kombëtar, arbëreshët kudo ku janë na dhanë dëshminë e gjallnisë si gjuhë dhe bashkësi.

Ndaj sot jo vetëm prej leximeve historike e arkivore ne kemi nën emrin e tij, flamurin kombëtar, projektin politiko-ushtarak me figurën e qëndresës ndaj pushtimit, modelin e organizimit autentik dhe bërjen e historisë përmes lirisë së popullit.

Kushdo dhe kurdo kur qemtohen betejat dhe organizimi i drejtuar prej Gjergj Kastriotit, askush nuk ndalet tek teknikat aq shumë sa tek vullneti. Karakteristika që e veçon nuk është thjesht strategjia por këmbëngulja. Vlera që e mbështjell nuk është dhe aq forca vetanake se sa organizimi.

Si Gjergji, si Rilindasit që e risollën mes nesh, janë sa autentikë aq dhe universalë. Ashtu si kombi që e kemi.

Çdo 17 janar na duhet ta shpalosim megjithatë porosinë, ngase nuk e kemi shtetin që e mbërrin këtë lartësi të themelimit e organizimit kombëtar. /Lajmi.net/