LVV:  Me një ushtri të armatosur mirë, qytetarët do të kenë më shumë vetëbesim

Lëvizja Vetëvendosje thotë se me një ushtri të armatosur mirë, qytetarët do të kenë më shumë vetëbesim.

Lajme

09/11/2018 16:19

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi, deputeti Xhelal Sveçla, ish-gjenerali që është pjesë e Lëvizjes Enver Dugolli, deputeti i Lëvizjes dhe ish – koloneli i FSK-së Shemsi Syla, si dhe anëtari i kryesisë e po ashtu ish – koloneli i FSK-së Ajet Potera, kanë vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) me ç’rast janë pritur nga Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Rrahman Rama, Koloneli Jeton Dreshaj, Kolonelin Agron Bajrami si dhe Drejtori për Politika dhe Plane Faruk Geci.

“Ky takim ishte i nevojshëm pas kalimit të projetkligjit për FSK-në për t’u parë se ku dhe si mund të ndihmohet më tutje. Gjenerallejtënant Rrahman Rama e falënderoi Lëvizjen për mbështetjen dhënë analizave të tekstit dhe votimit të projektligjit për FSK-në derisa shpjegonte historikun e transformimit që prej UÇK-së në TMK e më pas zhvillimit të FSK-së. Deputeti Sveçla tregoi se në Komisionin për Siguri po punon për disa ndryshime që të mos ketë pengesa në të ardhmen”, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Nga ana e delegacionit të LVV-së u tha se mbështetja për ushtrinë është obligim i tyre.

Po ashtu, në njoftim thuhet se gjatë takimit pati pajtueshmëri së çështja e zhvillimit dhe avansimit të FSK-së duhet prioritizuar në aspektin buxhetor.

“Me një ushtri të përgatitur e armatosur mirë, qytetarët e Kosovës do të kishin më shumë vetëbesim, më shumë siguri dhe më shumë shpresë për të ardhmen e vendit”. /Lajmi.net/