LVV-ja planifikon t’i shpenzojë 565 mijë euro për zgjedhje

Partitë politike po vazhdojnë të mos tregojnë se sa do të shpenzojnë gjatë fushatës. Përjashtim në këtë mes ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka njoftuar se për zgjedhjet e tetorit ka paraparë të shpenzojë mbi 500 mijë euro. Vlerësohet se përveç buxhetit të ndarë nga shteti partitë pranojnë edhe donacione të atilla, të cilat nuk i raportojnë fare.

Lajme

19/09/2019 09:51

Subjektet politike po vazhdojnë të jenë jotransparente sa i përket mënyrës së financimit dhe shpenzimeve para zgjedhjeve. Përpos buxhetit të shtetit (mbi 4 milionë euro), i cili ndahet secilin vit për partitë e përfaqësuara në Kuvend, këto parti financohen edhe në forma të tjera.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë të ditur për “Zërin” se përgjatë fushatës zgjedhore do të shpenzojë 565 mijë euro në total.Përfaqësuesi i Sekretariatit të Financave në Lëvizjen Vetëvendosje, Bekim Gashi, ka thënë se LVV-ja financohet ashtu si e parasheh Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, nga pagesa e kuotës së anëtarësisë, nga Fondi për Demokratizim të Subjekteve Politike, që ndahet nga KQZ-ja dhe përmes donacioneve të vogla nga qytetarët.

Në kuadër të kësaj, Gashi ka njoftuar se për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen muajin që vjen, LVV-ja ka planifikuar t’i shpenzojë mbi 500 mijë euro.

“Buxheti i planifikuar për shpenzime në zgjedhjet e përgjithshme është 565,000.00 euro, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në vitin 2017 kanë kushtuar në total 304,000.00 euro”, ka nënvizuar Gashi.