Lumezi priti në takim Ambasadoren e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.

Lajme

24/04/2019 15:18

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi e njoftoi Ambasadoren Willems me të arriturat dhe rezultatet e Prokurorit të Shtetit në luftimin dhe ndëshkimin e të gjitha veprave penale, në veçanti, luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprimtarive të tjera kriminale, të cilat cenojnë rendin dhe ligjin në Republikën e Kosovës.

  Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe për reformat e kryera në legjislacionin penal dhe për ecurinë e zbatimit të tyre, që po ndikojnë në ngritjen e efikasitetit në luftimin e veprave të kundërligjshme. “Reformat e bëra në legjislacionin penal janë të rëndësishme, mirëpo më e rëndësishme është zbatimi i tyre. Kjo varet shumë nga etika dhe integriteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve”,ka thënë mes tjerash Kryeprokurori i Shtetit.

 Tutje, Kryeprokurori Lumezi, ka njoftuar Ambasadoren Willems edhe për angazhimin në forcimin e mekanizmave përgjegjës, që kontribuojnë në avancimin e rolit, misionit dhe vlerave të integritetit, profesionalizmit, llogaridhënies, pavarësisë dhe transparencës së sistemit prokurorial.

 Kryeprokurori i Shtetit dhe Ambasadorja e Holandës janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit për zbatimin e projekteve të përbashkëta në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

 Ndërkaq, Ambasadorja holandeze, Gerrie Willems, ka përgëzuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, për punën dhe rezultatet e arritura, duke konfirmuar mbështetjen e saj për sistemin prokurorial në konsolidimin e sundimit të ligjit në Kosovë. “Ne shohim zhvillime pozitive në përmirësimin e sundimit të ligjit. Dua t’ju përgëzoj për punën që po bëni dhe e di që kjo kërkon guxim nga ana e juaj”, ka thënë ndër të tjera, Ambasadorja Willems. 

 Në fund, Kryeprokurori Lumezi ka falënderuar Ambasadoren Willems për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit holandez dhënë forcimit të sistemit prokurorial, me theks të veçantë, në ofrimin e ndihmës për hartimin e Kodit të ri të Etikës për prokurorët dhe gjyqtarët si dhe Komentarin përcjellës të këtij kodi. /Lajmi.net/