Lumezi kërkon që Presidentja ta dekretojë

I nominuari i vetëm për Kryeprokuror të Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se presidentja Jahjaga duhet ta dekretojë vendimin që ai të zgjidhet në këtë post, pasi, sipas tij, vonesat eventuale e dëmtojnë tej mase sistemin juridik të Kosovës.

Lajme

05/03/2015 20:56

Në emisionin Rubikon të KTV-së, Lumezi tha se nuk ka logjikë që po kundërshtohet kaq shumë propozimi për nominim. Ai shtoi se akti i dekretimit të Presidentes mund të kundërshtohet vetëm nga Kuvendi, Qeveria dhe Avokati i Popullit, transmeton lajmi.net.

“Është non sens në sistemin juridik të Kosovës që dikush të atakojë propozimi për nominim. Eventualisht mund të atakohet akti i dekretimit të Presidentes”.

“Presidentja duhet sa më shpejt të marrë një vendim për këtë situatë sepse përndryshe sistemi juridik do të dëmtohet tej mase. Duhet të funksionojë shteti juridik. Duhet nxjerrë dekretimi i Presidentes, i cili duhet të jetë në përputhje të Kushtetutës dhe dispozitat ligjore. Nëse dikush e kundërshton këtë dekretim, janë subjektet e caktuara me Kushtetutë, të cilat dekretimin nga Presidentja mund ta atakojnë e ato janë Qeveria, Kuvendi dhe Avokati i Popullit”, deklaroi ai.

Lumezi ngreh dyshime se presidentja Jahjaga mund të ketë presion për të shtyer dekretimin. Sipas tij, këto presione vijnë nga persona që nuk duan “të luftohet krimi dhe korrupsioni” në vend.

“Unë mendoj se Presidentja duhet të ketë besim të plotë në propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin tim në postin e kryeprokurorit dhe të kryejë të drejtën e saj që iaa garanton Kushtetuta”.

“Mund të ketë presione edhe te Presidentja që të shtyhet ky dekretim. Unë kam informacione se ka presion nga ata që duan që zyra e prokurorit të shtetit të mos jetë funksionale dhe ata që nuk dëshirojnë që të luftohet krimi dhe korrupsioni”.

“Unë mendoj se Presidentja nuk ka nevojë të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse Kushtetuesja nuk ka asnjë kërkesë për vlerësimin e kësaj procedure”.

“Tash është topi te Presidentja e vendit, e cila duhet të bëjë dekretimin”, tha Aleksandër Lumezi.