Lumezi: Kërcënimet s’na ndalin, Kryeprokurorët e rinj i presin ditë të vështira kundër krimit e korrupsionit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se gjatë vitit të kaluar kanë treguar vendosshmëri për t’u përballur me çdo formë të kërcënimit apo shantazhit, duke u shprehur i bindur se në këtë rrugë nuk do të m und t’i ndal askush.

Lajme

17/01/2020 12:35

Lumezi në “Konferencën vjetore të prokurorëve”, për vitin 2019, pati një mesazh për kryeprokurorët e rinj. Sipas tij, ata i presin ditë të vështira kundër krimit e korrupsionit, raporton EO.

“… dua të theksoj se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe ne ditët e para të këtij viti ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme”.

“Ne kemi treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Prandaj, duhet të jemi unik për të treguar forcën që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit”.

“Shpresoj që forca e këtij mesazhi do të kuptohet drejtë edhe nga kolegët e rinj në duart e të cilëve do të jetë e ardhmja e sistemit prokurorial. Të gjithë duhet të jeni të vetëdijshëm se besimi, sinqeriteti dhe komunikimi në mes të prokurorëve, kryeprokurorëve dhe Kryeprokurorit të Shtetit duhet të forcohet. Kryeprokurorëve të rinj, dua t’ju them se; që nga marrja e këtyre detyrave do të ju presin ditë të vështira. Koha nëpër të cilën po kalojmë e vërteton këtë”.

Ai ka shtuar se janë përpjekur që të jetë të pavarura edhe përkundër presioneve. Por Kryeprokurori i Shtetit po krenohet me punën e bërë gjatë vitit të kaluar.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2019 kanë zgjidhur 79 803 dosje penale të natyrave të ndryshme dhe se 93.57% e aktakuzave të ngritura nga prokurorët e shtetit kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese.

“Prokuroria vazhdimisht është përpjekur të jetë e pavarur në punën e saj, megjithatë në vitin që lamë pas ka pasur përpjekje të ndryshme grupore, sociale e në disa raste edhe politike për të bërë presion në institucionin e Prokurorit të Shtetit”.

“Për fat të keq, ne kemi edhe dukurinë ku struktura të caktuara me nisma të ndryshme po nxisin urrejtje ndaj Prokurorisë, duke i mohuar rezultatet e punës në të gjitha fushat, me qëllim që ta paraqesin Prokurorinë si të dështuar. Mirëpo, me bindje të plotë ju them se sot sistemi prokurorial është shumë hapa përpara asaj që ka qenë në të kaluarën”.

“Për ta vërtetuar këtë, theksoj faktin se vetëm gjatë vitit 2019 kemi zgjidhur gjithsej 79.803 dosje penale të natyrave të ndryshme. Përveç rëndësisë së zvogëlimit të lëndëve, po aq e rëndësishme për ne është edhe mënyra se si zgjidhen ato. Prandaj, progres është bërë edhe në ngritjen e cilësisë së akteve akuzuese, ku gjatë vitit 2019, 93.57% e aktakuzave të ngritura nga prokurorët e shtetit kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese”.

Lumezi tha se edhe në luftën kundër korrupsionit kanë bërë punë të mirë. Ku gjatë vitit të kaluar Prokurori i Shtetit ka zgjidhur 400 dosje penale me 771 persona, jithashtu ka zgjidhur edhe 532 kallëzime penale me 712 persona që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është element shumë i rëndësishëm drejtë rrugës së integrimit të shtetit tonë në familjen e madhe evropiane. Publiku është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridiko-shoqërore”.

“Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së përfituar nga vepra penale, si dhe marrja e fuqisë ekonomike grupeve kriminale, nëpërmjet ngrirjes e më pastaj edhe konfiskimit të pasurisë”.

“Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka treguar përkushtim në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke zgjidhur 400 dosje penale me 771 persona. Gjithashtu kemi zgjidhur 532 kallëzime penale me 712 persona që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë kemi nevojë për njerëz profesionist, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial”.

Kur foli për krimet e luftës, ai tha se janë duke bërë përpjekje që të mbledhin dhe prova të cilat i identifikojnë kryesit dhe urdhërdhënësit e këtyre veprave penale për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale, raporton EO.

“Sa i përket krimeve të luftës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në vitin e kaluar ka miratuar strategjinë për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Përveç që jemi duke bërë identifikimin e ngjarjeve të cilat po trajtohen me prioritet, jemi duke bërë përpjekje që të mbledhim dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë kryesit dhe urdhërdhënësit e këtyre veprave penale për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale. Gjatë vitit që lamë pas, rëndësi i kemi kushtuar edhe mbrojtjes së viktimave të krimit që kanë pësuar nga aktet e ndryshme kriminale”.

“Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, ku gjatë vitit 2019 ka zgjidhur gjithsej 1567 raste të dhunës në familje, ngacmimit seksual, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mundësimit të prostitucionit. Kjo zyrë në disa raste ka paraqitur edhe kërkesat në Ministrinë e Drejtësisë për kompensimin e viktimave të krimit”.