Lumezi: Kemi shënjestruar disa raste të korrupsionit të profilit të lartë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se 52 raste të korrupsionit janë shënjestruar që kanë të bëjnë me profilin e lartë.

Lajme

20/07/2019 09:11

Sipas kryeprokurorit Lumezi, këto raste nuk janë duke u zgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorëve, por për shkak të gjykatave, pasi që sipas tij, ato lëvizin nga një instancë në instancën tjetër.

Ai thotë se kanë shënjestruar 52 raste, por që pranon se janë komplekse dhe duhet kohë për të siguruar provat e mjaftueshme.

“Ka pasur raste të mëdha që i kemi shënjestruar, ne u kemi shku edhe rasteve më të rënda të cilat kanë ndodhë në Kosovë, i kemi gjithsej 52 raste të shënjestruara, mirëpo ato lëndë janë lëndë komplekse dhe për të cilat duhet kohë e mjaftueshme nga ana e prokurorëve për të siguruar prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë dyshimin e bazuar se personat konkret kanë kryer vepra penale me qëllim që të u ngritet aktakuza apo të pushohen hetimet, është e vërtetë që këto lëndë janë duke u stërzgjatur, por nuk janë duke u stërzgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorëve”, ka thënë Lumezi në një intervistë për Ekonomia Online.

“Përkundrazi prokurorët janë shumë efikase në hetimin e këtyre rasteve dhe brenda parametrave të arsyeshme kohor edhe i ngrisim aktakuzat, po edhe ligji nuk na lejon që ta kalojmë afatin prej dy viteve sa lejohet për hetimin e rasteve të mëdha, kështu që brenda këtyre parametrave dhe brenda dispozitave ligjore edhe i ngrisim aktet akuzuese, mirëpo ato akte të cilat ne i dërgojmë në gjykatë, atje po stërzgjaten dhe po lëvizin nga një instancë në instancën tjetër, shpesh ndodhë që gjykata e shkallës së parë ti dënojë këta persona dhe mandej nëpërmjet të drejtës për ankesë, gjykata e shkallës së dytë të prishë vendimin ta kthejë prapë në shkallën e parë, kështu që lëvizja nga një shkallë në shkallën tjetër, e humbë edhe besimin e publikut në institucionet e drejtësisë por edhe len mundësi tjera që mbas një kohe edhe të shqiptohen edhe dënimet më të lehta ndaj kryerësve të këtyre kryerësve të veprave penal”.

Të gjitha akuzat i pari që udhëheqë me prokurorinë e shtetit, Aleksandër Lumezi, i quan tendenca për dobësimin e sistemit prokurorial të Kosovës, Lumezi në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se këto akuza janë të paargumentuara dhe bëhen nga grupe dhe individë të caktuar të cilët dëshirojnë që ta shohin Prokurorinë e Shtetit ashtu siç e kanë paramenduar vetë.

Sipas Lumezit, institucioni i Prokurorit të Shtetit është tërësisht i pavarur dhe asnjëherë nuk iu është nënshtruar ndikimeve politike, ai shprehet se akuzat ndaj këtij institucioni kanë ardhur si rezultat i hakmarrjeve ndaj akuzave që vetë prokuroria e shtetit i ka bërë për përfaqësues të ndryshëm të partive politike, e në drejtim të prokurorisë që është e ndikuar politikisht, mirëpo ne jemi tërësisht të pavarur në punën tonë që institucioni që ai e udhëheqë nuk i ka marrë parasysh këto aktakuza.

“Gjithmonë ka akuza dhe ju largohemi çfarëdo ndikimeve politike, ju e keni për që ne kemi persona të akuzuar të gjitha partive politike, shpesh herë kur i akuzojnë përfaqësuesit e një partie politike, partitë tjera na duartrokasin dhe na thonë që jemi duke bërë një punë të mirë, ndërsa kur i hetojë prapë ata që na kanë duartrokitur dhe na kanë thënë që jemi duke bërë një punë të mirë, prapë kritikohemi nga pala tjetër, kështu që ne jemi krejtësisht të pavarur në punën tonë dhe nuk ka kurrfarë ndikimi politik në sistemin prokurorial, ata të cilët e shkelin ligjin, duhet të ballafaqohen edhe me drejtësinë pavarësisht se çfarë roli dhe çfarë pozite kanë në shoqëri. Unë mendoj që këto nuk ndikojnë, ju e keni pa që ato kritika të cilat janë bërë në drejtim të prokurorit të shtetit, ne nuk i kemi marrë shumë parasysh, ne kemi vazhduar punën tonë ashtu siç na referohet nga ligji dhe nuk jemi marrë shumë me ato kritika por kemi vazhduar me punën tonë”.

Lumezi i tha Ekonomia Online se ai nuk është përballur me kërcënime direket, por nuk i mohon tendencat për ta penguar punën e tij si kryeprokuror.

“Unë kërcënime direket nuk kam pas, por ka pas prononcime të cilat kanë qenë jo korrekte dhe të cilat kanë qenë tendencioze me qëllim që të dobësojnë punën time, mirëpo unë ato nuk ia kam marrë parasysh dhe kam vazhduar punën time qysh e kam bë më herët edhe pas kritikave të cilat janë drejtuar në adresën time”.

Lumezi thotë se nëse ekzistojnë prova edhe për krerët e shtetit ata detyrohen të fillojnë hetimet ndaj atyre personave që kanë përgjegjësi penale.

“Nëse ka keqpërdorime nga krerët e shtetit, neve na obligon ligji dhe patjetër kishim filluar procedurën penale kundër atyre personave edhe nëse gjejmë prova të mjaftueshme atëherë patjetër që do kishim ngritur akte akuzuese, mirëpo nuk do të thotë që prokurorët e shtetit kanë kompetencë që të ngrisin akte akuzuese pa prova, nëse provat dhe hetimet tregojnë që ata persona kanë përgjegjësi penale, atëherë ne do të detyrohemi dhe patjetër që duhet ti fillojmë hetimet dhe t’i ngrisim aktet akuzuese, nëse kemi argumente dhe prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë fajësinë dhe përgjegjësinë e tyre penale”.