Lulëkuqet dhe simbolika e tyre (Foto)

Në Kalanë e Londrës, të martën Ditën e Përkujtimit, ka përfunduar “mbjellja” e lulëkuqeve të punuara prej qeramikës, lules - simbol të Armëpushimit që çoi në përfundimin e Luftës së Parë Botërore.

Bota

11/11/2014 15:55

Përveç anëtarëve të familjes mbretërore, autoriteteve dhe figurave të tjera publike, në oborrin përreth Kalasë, kanë vendosur nga një lulëkuqe edhe shumë figura të tjera botërore, duke e shndërruar këtë pjesë të Londrës në atë që mediat britanike po i referohen si “Deti i Kuq” ose “Deti i Luleve”.   

Në këtë vend janë vendosur 888 mijë e 246 lulëkuqe qeramike, për të kujtuar përgjakjen e tokës dhe të detit nga gjaku i 888 mijë e 246 britanikëve që u vranë në Luftën e Parë Botërore, apo siç njihet Lufta e Madhe, e cila përfshiu pothuajse gjithë botën, nga viti 1914 deri në vitin 1918.

Në këtë konflikt mbarëbotëror të armatosur që mori mbi 37 milionë jetë, u përballuan dy fuqi të mëdha: Perandoritë qendrore (Perandoria gjermanike dhe Perandoria Austro-Hungareze) dhe nga ana tjetër Pakti i Trefishtë (me Mbretëritë e Bashkuara, Francën, dhe Rusinë), që doli fitues më 1918.

Lulëkuqja e fundit u mboll të martën, pak para orës 11:00 nga një fëmijë londinez si tregues që Dita e Përkujtimit të 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, si dhe koha e armëpushimit katër vjet më pas, e arritur pak minuta para orës 11:00, kurrë nuk do të harrohet.    

Vendosja këtyre qindra mijëra lulëkuqeve është bërë nga vullnetarët, ushtarë dhe të rinj britanikë që kishin filluar punën më 17 korrik, ndërsa heqja e tyre ishte parashikuar po ashtu të bëhet brenda 24 orësh, por kërkesat e shumta nga qytetarë e organizata joqeveritare kanë bërë lulëkuqet të mos “këputen” deri në fund të këtij muaji.

Lulet do të “mblidhen”, do të pastrohen dhe do të paketohen, për tu shitur nga 25 £ (30 euro), ndërsa të ardhurat do të shfrytëzohen për veteranët, familjet e tyre dhe qëllime të tjera bamirësie.    

Miliona qytetarë e kanë vizituar Kalanë e Londrës që kur ka filluar “mbjellja” e lulëkuqeve, në shenjë nderimi për të rënët e Luftës së Parë Botërore dhe një kujtimi tjetër – fotografie në “Detin e Kuq”

Kryeministri britanik, David Cameron ka thënë se lulëkuqet e kanë shndërruar Kullën e Londrës për një kohë të shkurtër në monumentin më të dashura dhe më të respektuar, raporton CNN, transmeton lajmi.net.

Lulëkuqet që rriten me shumicë në vendet ku janë zhvilluar fushëbetejat më të mëdha, në Francë dhe Belgjikë, janë simboli i përkujtimit të të rënëve të Luftës së Parë Botërore.

Ditën e Përkujtimeve, çdo 11 nëntor, miliona lulëkuqe të punuara prej letre blihen nga qytetarët britanikë dhe mbahen gjatë ditës të vendosura në këmishë, setër apo pallto, për të përkujtuar Luftën e Parë Botërore dhe për të kontribuuar në bamirësi nga të ardhurat që mblidhen prej shitjes së tyre.  /lajmi.net/