Luksemburgu jep 700 mijë euro për ujësjellësin e Vushtrrisë

Për ndërrimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit, por edhe rrjetit të ri në qytetin e Vushtrrisë dhe nëpër fshatra, do të investohen 1 milion euro donacion nga Qeveria e Luksemburgut, në bashkëfinancim me Komunën.

Lajme

04/12/2014 16:21

Marrëveshja për bashkëfinancim të këtij projekti është nënshkruar të enjten nga kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, dhe Pascal Rossignol, përfaqësues regjional i i organizatës qeveritare të Luksemburgut Lux-Development.

Mulaku e ka vlerësuar mjaft të rëndësishëm këtë projekt. “Ky investim është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Vushtrrisë, në veçanti në këtë kohë kur po rriten kapacitetet e furnizimit me ujë të pijes”, ka thënë Mulaku.

Ai tha se është mirë që ky investim po bëhet paralelisht me planet e Komunës për rregullimin e disa rrugëve në qytet e në të cilat do të ndërrohet edhe rrjeti i stërvjetruar i ujësjellësit.

Rossignol tha se ky projekt shumë i rëndësishëm do të nisë së zbatuari që në pranverë të vitit të ardhshëm dhe do të zgjasë dy vjet.

Qeveria e Luksemburgut për këtë projekt ka zotuar 700 mijë euro, ndërkaq Komuna e Vushtrrisë do të bashkëfinancojë me 300 mijë euro në periudhën dyvjeçare.