Lugina preokupim i Qeverisë
Bekim Çollaku thotë se nuk do të diskutohen tema të reja në Bruksel pa u zbatuar marrëveshja e 19 prillit. Thotë se Qeveria e Kosovës do të insistojë që qytetarët e Luginës t`i gëzojnë të drejtat e tyre legjitime.

Lajme
Takimi i radhës në mes të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij Ivica Dacic i cili do të zhvillohet në fillim të dhjetorit në Bruksel nuk do të sjellë ndonjë risi në tavolinën e bisedimeve.
Këshilltari politik i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku ka thënë se, nuk do të diskutohet asnjë temë e re në bisedimet në mes të dy kryeministrave pa filluar zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.
“Nuk do të diskutohet asnjë temë e re . Nuk do të hapen tema të reja në dialog pa u zbatuar marrëveshja e 19 prillit, e cila ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka thënë Çollaku në një intervistë për “Epoka e Re”.
Çollaku ka folur edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginë. Ai ka thënë se çështja e shqiptarëve të Kosovës lindore do të mbetet gjithmonë preokupim i Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës do të lobojë dhe do t`i përkrahë të gjitha kërkesat e tyre, të cilat janë legjitime dhe në përputhje me të drejtat e tyre, të cilat kanë të bëjnë për një jetë, të mirë atje ku jetojnë”.
“Çështja e pozitës dhe të drejtave të shqiptarëve në luginën e Preshevës gjithmonë do të mbetet preokupim i Qeverisë së Kosovës dhe i Kryeministrit Thaçi. Në këtë drejtim, ne në të gjitha takimet, qofshin ato në Bruksel apo bilaterale me shtetet mike, e trajtojmë këtë çështje”.
“Edhe vetë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës nga takimet që kanë pasur me Kryeministrin e dinë se Thaçi në disa takime me kryeministrin Dacic dhe zëvendëskryeministrin Vucic ka diskutuar dhe ka kërkuar që qytetarët e Luginës t`i gëzojnë të drejtat e tyre legjitime”.
Zbatimi i marrëveshje së 19 prillit sipas Çollakut tanimë ka filluar të zbatohet ku siç thotë ai, hapi kryesor dhe më vendimtar i kësaj marrëveshje është realizuar më 3 nëntor dhe 1 dhjetor.
“Nuk besoj se ka pasur sfidë më të madhe sesa futja e komunave në veri nën ombrellën e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Për mendimin tim ky është thelbi historik i krejt marrëveshjes së Brukselit”.
“Shmangia e ndarjes së Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve në veri dhe futja nën ombrellën e shtetit të katër komunave veriore është suksesi më i madh historik të cilën e kemi arritur ndonjëherë”.
Sa i përket asociacionit të komunave serbe Çollaku ka thënë se, do të funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës.
“Fati i këtij asociacioni do të jetë i njëjtë sikurse ai i komunave të Kosovës. Pra nuk do të ketë asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ky asociacion nuk do të jetë kurrfarë krijese speciale apo e jashtëzakonshme por do të jetë i njëjtë me asociacionin e komunave të Kosovës”, ka thënë Çollaku.