Lugina po zbrazet pa zhurmë

Lumi i të ikurve nga Lugina e Preshevës, përkatësisht nga Malësia e Bujanocit, nuk ka të ndalur. Në heshtje, kjo krahinë shqiptare, po mbetet pa njerëz. Vendbanime të tëra të brezit kufitar Kosovë Serbi, po thuajse janë boshatisur fare.

Lajme

11/09/2019 09:13

Këtij lumi ikjesh iu bashkua edhe familja e Ilaz Tefik Rashitit nga Muhoci, Komuna e Bujanocit. Kjo familje katëranëtarëshe, ashtu si edhe shumë familje të tjera nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe Komuna e Medvegjës, u larguan nga vendlindja, jo me dëshirën e tyre, por nga zori e halli, për të kërkuar një jetë më të qetë e më të mirë nëpër shtetet perëndimore.

“Ika nga vendlindja, se nuk e pata qare! Sa kisha probleme rreth sigurimit të ekzistencës familjare, m’u shtuan edhe ato të xhandarmërisë serbe. Ishte shtatori i vitit 2002, kur xhandarmëria serbe, në ora 17,oo, më arrestoi pa më kërkuar dokumentet e identifikimit, në fshatin e lindjes dhe më kanë dërguar te vendi i quajtur Kodra e Muhocit, atje ku e kanë bazën e tyre. Dy – tri herë më zbritën në fshat dhe përsëri më kthyen, duke më rrahur brutalisht deri sa e humba vetëdijen. Ata më akuzonin për pjesëmarrje në UÇPMB (ish Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc), duke më pyetur, vazhdimisht, se ku e kemi fshehur armatimin. Jo vetëm kaq, ata veç që më maltretuan fizikisht, më dënuan edhe me 500 euro”, shprehet i shqetësuar Ilaz Rashiti. Ai, në vazhdim, thotë se e njëjta procedurë është përsëritur edhe në janar të vitit 2019, ndaj vendosi të largohet nga vendlindja dhunshëm për në Marseille të Francës.

Këtë ngjarje të hidhur të Ilaz Rashitit e kanë bërë publike medium të ndryshme lokale e nacionale si: RTK, revista “Jehona”, pastaj është evidentuar si rast edhe në Këshillin për të Drejtat e Njeriut, në Bujanoc etj.

Muhoci, vendi prej nga u largua Ilaz Rashiti, shtrihet në zonën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë. Ky fshat ka mbetur me pak banorë, i fundit nga vendbanimet e tjera të Malësisë së Bujanocit, të cilat më herët e përjetuan spastrimin etnik.

Nga ikjet në heshtje, po zbrazet nga banorët Muhoci, vendlindja e Ilaz Rashitit, një fshat i bukur kodrinoro-malor, e kështu po zvogëlohet edhe numri i nxënësve në Shkollën Fillore “Migjeni”, që dikur numëronte me qindra shkollarë.

Nëse kështu vazhdohet Muhoci i Ilaz Rashitit, shumë shpejt do të mbetet pa njerëz, ashtu siç mbetën dikur fshatra të tëra të Malësisë së Bujanocit, të cilat pastaj po pasivizohen nga Beogradi zyrtar, duke u shlyer qytetarët shqiptarë nga regjistrat e gjendjes civile/Sevdail Hyseni.