Lugina, një muaj pa libra
Ka kaluar gati një muaj kur ka nisur mësimi në Luginën e Preshevës, ndërsa nxënësit shqiptarë akoma nuk i kanë marrë librat shkollorë, që janë dhënë donacion nga Republika e Kosovës.

Lajme
Librat, rreth 100 mijë copë, dhuratë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, janë konfiskuar nga autoritetet serbe dhe po mbahen në terminalin doganor, duke mos lejuar që ato t’u shpërndahen nxënësve shqiptarë për shkak të historisë së Kosovës.
Këtë moslejim të teksteve shkollore, kryetari i të Drejtave të Njeriut për Luginë të Preshevës, Belgzim Kamberi, e sheh si një cenim të vetë kushtetutës serbe.
“Ky është cenim i Kushtetutës dhe vetë legjislacionit në Serbi, e cila e garanton të drejtën e komuniteteve pakicë që të arsimohen në gjuhën e tyre amtare e aq më tepër duke pasur parasysh se tekstet nga Kosova shpërfaqin edhe historinë, kulturën edhe identitetin e shqiptarëve të cilën normalisht e garanton Kushtetuta e Serbisë”, ka deklaruar Kamberi për “Zërin”. Sipas tij, Serbisë po i pengon historia dhe kultura shqipe, dhe se nuk ka të bëjë aspak siç ka deklaruar Beogradi zyrtar, për arsye politike.
“Në njërën anë Serbia thotë që për arsye politike të mosnjohjes nga Kosova këto tekste nuk mund të lejohen, por në anën tjetër Serbia ka bllokuar dhe ka ndryshuar tekstet e historisë së Republikës së Shqipërisë, të cilën realisht ajo nuk ka probleme diplomatike rreth njohjes së Shqipërisë, por ky është vetëm një manipulim i Beogradit zyrtar, i cili realisht thelbi është që po i pengon historia dhe kultura shqiptare”, ka deklaruar Kamberi, sipas të cilit, në këtë pikë duhet që Qeveria e Kosovës të aplikojë reciprocitet. /Zëri