Lugina kërkon ministri në qeverinë e re të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik Jonuz Musliu, nga Lugina e Preshevës, po insiston në kërkesën e tij, që kjo pjesë e banuar me shqiptarë të ketë një ministri në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, në mënyrë që të drejtat dhe problemet e shqiptarëve atje të adresohen sa më mirë.

Lajme

18/06/2014 10:22

Në një intervistë dhënë për të përditshmen “Tribuna”, Musliu ka thënë se jo domosdoshmërish ky ministër do të duhej të ishte nga Lugina, por se do të ishte një plus i madh nëse ai do të ishte nga Lugina e Preshevës, pasi që do të dinte më mirë situatën në të cilën ndodhen shqiptarët.

“Ende nuk po dihet se kush do të jetë mandatari dhe kush do ta formojë qeverinë e Kosovës, megjithatë kush do të jetë, e kanë obligim që kësaj here ta kenë një ministri për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, e cila do të përkujdesej për shqiptarët e Luginës, pasi Serbia nuk po kujdeset për ne, dhe ka ministri të veçantë për serbët brenda Kosovës, pse edhe Qeveria e Kosovës mos të ketë një Ministri e cila përkujdeset për qytetarët e luginës. Pra ne po kërkojmë reciprocitet edhe në këtë rast”.

“Pa marrë parasysh nga është, ai së paku duhet të kujdeset për Luginën e Preshevës, ai duhet të jetë prezent këtu. Qoftë nëse është i Luginës së Preshevës apo qytetar i Kosovës, megjithatë mendoj se më mirë është që të jetë nga Lugina e Preshevës, në mënyrë që të marrë pjesë në mbledhje të Qeverisë së Kosovës dhe të raportojë për gjendjen e shqiptarëve në Luginë”.

Musliu edhe më herët ka kërkuar që në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Tash, ai thotë, se nëse një ministri e tillë do të formohet, do të ishte mirë që ky ministër të merr pjesë edhe në bisedime në Bruksel.

“Këtu është problemi, këtu është çelësi i kërkesës sime. Pasi që bisedimet do të vazhdojnë, ky ministër duhet të jetë prezent edhe në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Duhet ta përfaqësojë denjësisht vullnetin e qytetarëve të Luginës së Kosovës”, ka thënë ai, shkruan sot “Tribuna”.