Luftime në lindje të Ukrainës në kufi me Rusinë

Më shumë se 30 ushtarë ukrainas janë plagosur gjatë një luftimi me separatistët pro-rus në lindje të Ukrainës në afërsi të kufirit me Rusinë.

Bota

17/06/2014 15:48

Në njoftimin e lëshuar për media nga rojat e kufirit thuhet se të martën luftëtarët separatistë kanë gjuajtur me bomba ndërtesat qeveritare dhe pikat kufitare. Sulmi ka filluar në orët e hershme të së martës, afër qytetit Luhansk. Nuk janë dhënë detaje për të lënduarit nga ana e rebelëve.

Ndërkaq në anën tjetër, separatistët thonë se forcat qeveritare kanë sulmuar pozicionet e tyre këtë javë, duke përfshirë ato në qytetin e Slaviansk-it, në vendin ku që prej muajit prill ka pasur luftime të ashpra.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko ka dhënë urdhër që forcat qeveritare të rimarrin kontrollin e pikave kufitare nga rebelët, pasi që Kievi zyrtar dhe SHBA-të kanë akuzuar Rusinë se po dërgon luftëtarë të rinj dhe po ashtu po dërgon armatim, përfshirë këtu armatim të rënd, siç janë tanket. E në anën tjetër, Moska zyrtare mohon këto pretendime, raporton Reuters.