Luftë me kultivuesit e mariuhanës, rrëzohet një helikopter (video)

Gjatë aksionit të sotëm të policisë së Shqipërisë në luftën ndaj lëndëve narkotike në rajonin e Dukagjinit në veri, një helikopter është qëlluar me shtatë plumba dhe për pasojë është rrëzuar, por fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar nga forcat e policisë që ishin në bord.

Lajme

26/08/2014 19:48

Helikopteri i llojit Bo 105 është i Ministrisë së Brendshme dhe, sipas të dhënave të fundit, shkaku i rrëzimit të helikopteri janë plumbat të cilat kanë prekur serbabtorin dhe tubin e vajit. Gjithashtu, një plumb ka kaluar të gjithë kabinën e pilotit.

Helikopteri gjerman, i cili kushton një milion euro, është goditur nga shtatë plumba. Policia ka penguar çdo mundësi të filmimit të helikopterit nga grupi i xhirimit të “A1 Report”, që ka qenë i vetmi që ka shkuar në vendin e rrëzimit, një zonë e deklaruar si e pasigurt.

Policia kishte deklaruar se vetëm një helikopter ishte dëmtuar nga të shtënat në ditën e dytë të operacionit dhe është folur gjithnjë vetëm për helikopterin “Cougar” të Forcave të Armatosura. Nga të dhënat e mësuara nga “A1 Report”, bëhet e ditur se në fshatin Pult, në ditën e dytë të aksionit është qëlluar jo vetëm helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe ai i policisë.

Burime të “A1 Report” thanë se helikopteri “Cougar” i Ministrisë së Mbrojtjes, me vlerë 12 milionë euro, është goditur vetëm nga një plumb në bisht dhe ka mundur të fluturojë në pistën e fluturimit të ish-repartit Ushtarak Grudë e Re në Dukagjin ku pritet të ndërhyhet për defektin në bisht.

Lidhur me këtë gjendje, autoritetet e rendit, u kanë kërkuar aleatëve të NATO-s që të ndihmojnë në transportimin e tij me mjetet e nevojshme.

Katër ditë më parë, në ditën e dytë të aksionit, kultivuesit e kanabisit, kanë qëlluar me armë ndaj dy prej 3tre helikopterëve të përfshirë në aksionin e dytë më të madh antikanabis pas Lazaratit. Ndërkohë po sot është dorëzuar në polici, Pal Dushku, 19 vjeç, pjesë e grupit të zjarrit prej 10 personash të identifikuar, të cilët i janë kundërvënë me armë policisë dhe janë shpallur në kërkim. Kjo është hera e dytë që qëllohet helikopteri në Dukagjin, pasi edhe në aksionin e djeshëm u qëllua me armë ndaj helikopterit të policisë. /A1 Report/