Luftë-anija amerikane me 200 raketa mbërrin në Mesdhe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një tjetër anije luftarake në Mesdhe, e cila mund të mbajë 200 raketa 'Tomahawks', të gatshme për një sulm në Siri.

Bota

13/09/2018 18:56

Reagimi vjen ndërkohë që Rusia paralajmëroi se grupet militante në Idlib po planifikojnë një sulm të rremë kimik.

Krahina e Idlib-t është bastioni i fundit i grupeve opozitare të mbështetura kryesisht nga Turqia.

Forcat e diktatorit sirian, Bashar al Assad, edhe pas më shumë se 7 vitesh luftë kanë rimarrë kontrollin e vendit me ndihmën e Rusisë dhe Iranit.

Luftë-anija amerikane USS Bulkeley (DDG-84), hyri në Mesdhe përmes ngushticës së Gjibraltarit të mërkurën, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Me ardhjen e “Bulkeley”, forcat amerikane në rajon kanë deri në 200 raketa “Tomahawk” në dispozicion për të sulmuar objektivat në Siri, nëse urdhërohet ta bëjnë këtë, njoftoi Interfax.

Javën e kaluar, nëndetësja sulmuese “USS Newport News (SSN-750)” arriti gjithashtu në Mesdhe.

Uashingtoni ka pretenduar në mënyrë të përsëritur se qeveria në Damask është duke përgatitur sulme kimike kundër civilëve në provincën Idlib, bastionin e fundit të mbetur të grupeve rebele xhihadiste. Më i fuqishmi nga këto grupe është Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e njohur më parë si Jabhat al-Nusra.