‘Lufta’ për postin e presidentit

Posti i presidentit është shndërruar në mollë sherri në mes partnerëve të koalicionit qeverisës, LDK-së dhe AAK-së.

Lajme

26/10/2020 22:00

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tash e sa kohë janë duke u “përplasur” njëra me tjetrën për postin e kreut të shteti.

Është AAK-ja e cila para disa muajve kishte propozuar Ramush Haradinajn për postin e presidentit, duke thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat tjetër.

Ky vendim i AAK-së, vështirëson punën e koalicionit qeverisës mirëpo, këto deklarata dhe ky qëndrim i AAK-së, ka ngjallur edhe reagime të LDK-së.

Ka qenë vetë i pari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte deklaruar se ai personalisht nuk e dëshiron postin e presidentit dhe se partia e tij nuk e dëshiron këtë post, pasi që tashmë e kanë kryeministrin.

“Kam hequr dorë, kemi kryeministrin. Si parti, kështu si jemi, nuk na takon që ta kemi edhe presidentin, edhe kryeministrin. Dëshirojmë që kjo qeveri të vazhdojë, të japë rezultate. Të shohim se si do të reflektojnë edhe subjektet e tjera politike”, kishte deklaruar Mustafa në muajin shtator një intervistë televizive, shkruan lajmi.net.

Mirëpo si duket tash LDK-ja ka ndryshuar qëndrim. Nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri  gjatë ditës së hënë ka deklaruar se LDK-ja nuk ka emër tjetër për këtë post përveç kreut të partisë Isa Mustafa.

“Ende nuk kemi marrëveshje për president, unë po përsëris vazhdimisht që LDK-ja e ka ofruar rolin e vet konstruktiv për t’i dhënë vendit stabilitet. Ne jemi për një president konsensual, sa më konsensual në Kuvendin e Republikës, përtej saj nëse ka mundësi në mënyrë që t’i jepet vendit stabilitet. LDK nuk ka biseduar me askënd për çështjen e ndarjes së rolit të presidentit. Nëse LDK-së i bie në mandat, ose LDK-ja duhet ta udhëheqë, ne besoj që do të japim kontributin tonë dhe nuk kemi emër tjetër përpos Isa Mustafës. LDK-ja pajtohet parimisht me çdo emër, i cili afron të gjitha palët, të gjitha partitë në Kuvend të Republikës për të zgjedhur një president sa më konsesual të mundshëm”, ka thënë Haziri për KosovaPress.

Në anën tjetër, pavarësisht se nuk është zyrtarizuar asgjë, është ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila është përfolur se mund të jetë kandidate e PDK-së për postin e presidentit.

Mirëpo, një e gjë e tillë nuk është përmendur zyrtarisht nga Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetari i kësaj partie, Shaqir Totaj, në një intervistë kishte deklaruar se në këtë subjekt politik nuk ka pasur propozime për kandidatët për president të vendit.

“Nuk mund të jap ndonjë mendim timin se kush mund të jetë preferencë e imja, mbetet me pa cilat do të jenë zhvillimet ditëve në vijim”, kishte deklaruar Totaj.

Por pavarësisht këtyre propozimeve dhe dëshirave të partive politike, presidenti në asnjë mënyrë nuk mund të zgjidhet pa përfshirjen e partive opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Lexo edhe: 

LVV-ja dhe PDK-ja vendimtare për ‘fatin’ e Haradinajt për president

Njohësit e çështjeve politike në vend, kishin deklaruar për lajmi.net, se presidenti nuk mund të zgjidhet në asnjë mënyrë nëse nuk përfshihen partitë opozitare pasi që koalicioni qeverisës nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur cilindo kandidat për këtë post.

Theksojmë se, Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i vendit më 26 shkurt të vitit 2016, mirëpo detyrën e tij e kishte marrë më 7 prill të po atij viti pasi që i kishte skaduar mandati, Atifete Jahjagës.

Ndryshe, Hashim Thaçit i skadon mandati i presidentit në prill të vitit 2021. /Lajmi.net/