Lufta me ‘vdekjen’, 24 orë brenda Klinikës Infektive

Një ekip gazetarësh kanë qëndruar brenda Klinikës Infektive për 24 orë dhe kanë parë punën e madhe që po bëhet.

Lajme

10/08/2020 20:24

Është ora 7 e mëngjesit. Stafi i klinikës, infektive e nisin ditën me një mbledhje ku raportohet për punën që është bërë brenda 24 orëve.

Ka disa muaj që informacionet që jepen këtu nuk janë të mira.

E pasi përfundon mbledhja, secili prej tyre kanë para vete një ditë të gjatë dhe me plotë të panjohura.

Gatishmëria për punë është e përhershme.

Një pjesë të jetës së tij, infektologu Salih Ahmeti, e kaloi duke luftuar sëmundjet infektuese.

Por me diçka të tillë si Covid-19, ai në një bisedë për Infokusi, thotë që nuk u ballafaqua asnjëherë.

Këtu, çdo sekondë është i vlefshëm.

Madje, edhe ata sekonda që humbin shkaku i mungesës së kushteve elementare në Klinikën Infektive.

Kur lufton me vdekjen, është e vështirë edhe mbajtja e qetësisë që kërkohet.

Por, problemet teknike, janë halli i fundit i pacientëve, që shumica e tyre që ndalen për trajtim mjekësor këtu, janë në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, ka disa javë që në Kosovë, po shënohen shifra rekorde nga të prekurit me Covid-19.

Për këtë, në kohë pandemie, mund të quhet fat nëse arrin ta marrësh trajtimin e duhur mjekësor.

Por, as mjekët dhe infermierët, nuk janë imun ndaj këtij virusi.

Këtu çdo pakujdesi, mund të çojë në infektim.

Por, më e rënda, është ta dëgjosh rrëfimin e atyre, që po përballen me këtë virus.

Ndërkohë, një kat më lartë, ndodhen ata që për të cilët, e nesërmja mbetet vetëm shpresë.

Pavarësisht kësaj,  këtu nuk mungojnë as lajmet e mira.

Vullneti i dikujt për të jetuar, arrin të triumfojë mbi virusin që mori mbi 730 mijë jetë në botë.

Por, për shpëtimin e një jete, nevojitet edhe angazhim që mund të kushtojë me jetë.

Pavarësisht kësaj, këta mjekë e infermierë, brenda ditës mezi gjejnë kohë për t’u çlodhur.

Edhe atëherë, ballafaqohen me pyetjet nga më të çuditshmet.

Por, këta pak minuta pushim, në të shumtën e rasteve i prish alarmi, që nënkupton se një tjetër pacient, është në luftë me vdekjen.