Lufta kundër virusit Ebola duhet marrë më seriozisht

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar nuk është sa duhet agresiv në konfrontimin me sëmundjen Ebola që ka prekur Afrikën Perëndimore, nga e cila deri tash kanë vdekur afro 3,400 njerëz.

Bota

07/10/2014 11:51

Gjatë fjalimit të tij të mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, presidenti Obama tha se synon të bëjë presion ndaj shefave të shteteve tjera me qëllim që të sigurohet se bashkësia ndërkombëtare po bën çdo gjë të mundshme për tu bashkuar në luftën kundër virusit vdekjeprurës.  

Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara përveç të shtatë milionë dollarëve, kanë dërguar disa qindra perosna të specializuar për të ndihmuar afrikanë-perëndimorët për të luftuar virusin Ebola.

Obama po ashtu ka thënë se edhe pse gjasat për përhapje të Ebolës në Shtetet e Bashkuara janë  ekstremisht të vogla, administrata e tij po e shqyrton mundësinë e kontrollit plotësues me skanerë në aeroportet amerikane, për njerëzit që vijnë nga vendet më të prekura të Afrikës Perëndimore.

Në Shtetet e Bashkuara deri më tani vetëm një person është diagnostikuar me sëmundjen Ebola, ndërsa  gjendja e tij është kritike, përkundër përpjekjeve të mjekëve të një spitali në Teksas për ta shëruar.