Lufta kundër terrorizmit: Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi me qendër të përbashkët në Plavë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, thotë se autoritetet e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, janë duke punuar për një marrëveshje të përbashkët lidhur me aspektet e sigurisë.

Lajme

03/12/2016 20:11

Sipas tij, në këtë kuadër një qendër trepalëshe e bashkëpunimit policor do të jetë me qendër në Plavë, në Mal të Zi, nga ku do të shkëmbehen të dhënat e interesit të përgjithshëm, por me theks të veçantë për fushën e sigurisë, për situatën në rajon dhe më gjerë.

“Në kuptim të përgjithshëm, kjo jep material, kryesisht për parandalimin e akteve të dëmshme kundër rendeve kushtetuese dhe juridike të vendeve përkatëse, duke përfshirë këtu edhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, luftimin e terrorizmit, por edhe dukuritë tjera, siç është migrimi i paligjshëm, siç është një fushë përmes të cilës mund të lulëzojë ndonjë rrugë e paligjshme e trafikimit me qenie njerëzore, por edhe infiltrimi i ndonjë, po e quaj, luftëtari të Lindjes së Mesme për qëllime të caktuara”, thekson Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës që kanë udhëtuar për në Siri që nga viti 2012 është rreth 316, në mesin e tyre 44 gra dhe 29 fëmijë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoxha, thekson se aktualisht në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, vlerësohet se janë më pak se gjysma e këtij numri të shtetasve të Kosovës.

“Vlerësohet se aktualisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është rreth 140, duke përfshirë këtu 75 persona që dyshohet se në forma të ndryshme janë aktiv në organizatat terroriste, të përcjellë nga gratë dhe fëmijët e tyre”, thotë ai.

Sipas të dhënave të policisë, në Siri dhe Irak, aktualisht janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, ndërkaq 58 shtetas të Kosovës janë raportuar si të vrarë. Shumica prej tyre besohet të jenë vrarë prej vetë terroristëve pas tentimeve për t’u larguar nga zonat e konfliktit. Deri më tani 117 prej tyre janë kthyer në Kosovë.

Të dhënat e policisë tregojnë se shtetasit e Kosovës, të cilët kanë udhëtuar për në zonat e konfliktit, kryesisht janë të rinj të moshës 18-27 vjeç. Shumica prej tyre, siç thuhet, ishin me gjendje të rëndë ekonomike dhe probleme sociale, me një edukim të ulët ose nuk kanë pasur fare qasje në edukim, si dhe një pjesë e tyre ishin me të kaluar kriminale.

Për gjatë aktiviteteve për parandalim të përhapjes së ekstremizmit, radikalizmit dhe përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka iniciuar hetime penale ndaj 237 personave, me dyshimin se kanë kryer veprat penale: organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, pjesëmarrje në konflikte jashtë vendit, organizim, rekrutim, lehtësim dhe financim të terrorizmit, si dhe vepra tjera kundër rendit kushtetutës dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.

Si rezultat i këtyre hetimeve, që nga viti 2013 e deri më tash, mbi 127 persona janë arrestuar, duke përfshirë personat kyç të grupit që është marrë me rekrutimin dhe lehtësimin shkuarjes së shumicës së luftëtarëve nga Kosova, në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.