Lufta e serbëve me grafite

Mehmet Gjoshi thotë se Serbia nëpërmjet grafiteve shprehte urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ai thotë se Muzeu i Kosovës ka disa grafite, letra kërcënuese, ku shprehet albanofobia dhe urrejtja ndaj shqiptarëve.

Lajme

25/02/2014 21:57

Serbia nuk ka luftuar vetëm me armë, tanke dhe me altireri të tjera ushtarake, por lufta e saj kundër Kosovës dhe shqiptarëve, është bërë edhe nëpërmjet grafiteve, e letrave kërcënuese.

Këshilltar i lartë në sektorin e historisë në Muzeun e Kosovës, Mehmet Gjoshi thotë se të gjitha këto dëshmi siç janë grafite, letra kërcënuese – ku shprehej urrejtja ndaj popullit shqiptar, ku në to shpesh paraqiteshin edhe vajzat shqiptare si amorale – Muzeu i Kosovës i ruan në sirtarin e saj.

“ Krahas luftës me pushkë e me thikë, krahas formave të ndryshme represive fizike, krahas krimeve gjenocidale, siç ishin vrasjet dhe masakrimet e popullsisë civile shqiptare, gjatë luftës së fundit në Kosovë, veçanërisht gjatë pjesës së parë të vitit 1999, forcat pushtuese serbe luftuan edhe me grafite e vizatime të çoroditura”.

“Nëpërmjet grafiteve dhe vizatimeve amorale që i karakterizon urrejtja dhe albanofobia, të shkruara në muret e shtëpive shqiptare, brenda monumenteve historike, brenda xhamive, brenda institucioneve të ndryshme anë e kënd Kosovës, pjesëtarët e makinerisë pushtuese kanë porosi kundër shqiptarëve, nacional-shoviniste, kërcënuese, denigruese siç janë:“Serbia vret”, “ Shqiptarë Vdisni”, “ Shqiptar në huj“, “ Shqiptarë shpërnguluni”, “ Shqiptarë ikni në Shqipëri”, “ Kosova është Serbi”,” Serbia deri në Tokio” etj.”, ka thënë Gjoshi për Kosovapress.

Gjoshi thotë se edhe shqiptarët shkruanin grafite, mirëpo në krahasim me grafitet serbe, shqiptarët shprehinin dashurinë për liri dhe paqe.

“Edhe shqiptarët kanë shkruar grafite të ndryshme, kuptohet pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb, e sidomos në pjesët urbane në Kosovës”.

“Mirëpo, parullat e shkruara në grafite shqiptare ishin në përputhje me shpirtin liridashës të popullit tonë, me karakterin e luftës tradicionale çlirimtare shqiptare, mbajnë gjurmët karakteristike të kulturës, antropologjisë, psikologjisë dhe politikës së jodhunës”.

Mehmet Gjoshi thotë se pjesa më e madhe e këtyre grafiteve janë të papublikuara. Në Muzeun e Kosovës, mund të gjesë edhe letra kërcënuese të shkruar nga serbët.

“Ku jeni Turq. Ju tregon çetniku juaj se ju kemi dhunuar shumë femra shqiptare dhe që shqiptaret e juaj të dashura do të lindin shumë fëmijë serb. Ne po tërhiqemi nga Kosova dhe mos mbani dert, ne së shpejti do të kthehemi, se Kosova ishte serbe dhe do të mbetet serbe. Tash Rusi do t`iu maltretojë fëmijët dhe gratë dhe ne do të kthehemi dhe do t`iu therim, se çetniku nuk është çetnik nëse nuk e prenë ndonjë shqiptarë. Kaq nga ne të dashur shqiptarët e mi, por mos na harroni se ne do të kthehemi tek ju si mysafirë.

P.S “ Më falni për tollovinë, rregullojeni vet”

Ju dua shumë, ju përshëndes dhe mezi pres që t`iu theri.

I sinqerti i juaj, Qedo”, thuhet në një letër, që sipas Gjoshit është gjetur në shtëpinë e Ilaz Beqaj në Prishtinë, raporton Kosovapress.